“Britania mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj Kosovës”, çka shkroi Burnham në letrën drejtuar Kurtit?
Kryeministri britanik Andy Burnham ka shprehur përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e partneritetit dhe miqësisë me Kosovën, në një letër drejtuar me 25 gusht kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Në letrën e tij, Burnham ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova kanë një partneritet të afërt dhe të qëndrueshëm, të ndërtuar mbi…
Lajme
Kryeministri britanik Andy Burnham ka shprehur përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e partneritetit dhe miqësisë me Kosovën, në një letër drejtuar me 25 gusht kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Në letrën e tij, Burnham ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova kanë një partneritet të afërt dhe të qëndrueshëm, të ndërtuar mbi historinë e përbashkët, transmeton lajmi.net.
Ai ka thënë se është krenar që Mbretëria e Bashkuar qëndroi përkrah popullit të Kosovës që nga fillimi i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999.
“Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar qëndroi përkrah popullit të Kosovës që nga fillimi i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe që ishim vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Burnham.
Ai ka përmendur edhe vazhdimin e pranisë së forcave britanike në kuadër të KFOR-it, duke e cilësuar këtë si dëshmi të përkushtimit të Londrës ndaj paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Kryeministri britanik ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen për aspiratat euroatlantike të Kosovës, përfshirë integrimin në institucionet ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe rrugën drejt NATO-s.
Burnham ka shprehur shpresën për formimin sa më të shpejtë të një qeverie të re në Kosovë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, tregtisë, investimeve, luftimit të migrimit të parregullt dhe forcimit të lidhjeve ekonomike.
Në fund të letrës, ai ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor dhe se do të vazhdojë të punojë ngushtë me Kosovën.
Letra e plotë në Gjuhën Shqipe:
I nderuar Kryeministër,
Faleminderit për letrën tuaj pas emërimit tim si Kryeministër. Jam mirënjohës për fjalët tuaja të mira dhe urimet.
Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ndajnë një partneritet të afërt dhe të qëndrueshëm, të ndërtuar përmes historisë sonë të përbashkët. Jam krenar që Mbretëria e Bashkuar qëndroi përkrah popullit të Kosovës që nga fillimi i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe që ishim vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës. Nuk ka dëshmi më të qartë të përkushtimit tonë sesa vazhdimi i dislokimit të forcave britanike në kuadër të KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Mbretëria e Bashkuar do të mbetet një mbështetëse e fuqishme e aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe do të vazhdojë të punojë për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme për aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe përparimin e mëtejshëm në rrugën drejt NATO-s.
Shpresoj që së shpejti të formohet një qeveri e re e Kosovës, në mënyrë që të mund të thellojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona në çështjet me interes të përbashkët, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, tregtinë dhe investimet, luftimin e migrimit të parregullt dhe forcimin e lidhjeve ekonomike.
Si mik i afërt i Kosovës, Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj sigurisë dhe prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Kosovën në mbështetje të një të ardhmeje më të qëndrueshme, më të ndërlidhur dhe më të begatë për rajonin.
Ju falënderoj sërish për letrën tuaj. Mezi pres të punoj ngushtë me ju për të forcuar më tej miqësinë dhe partneritetin mes dy vendeve tona./lajmi.net/
