“Brenda javës vendoset e ardhmja e klubit”, Lushtaku flet për situatën momentale, përgatitjet, synimet dhe prurjet e reja
Drenica këtë sezon e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, por pastaj nisën problemet e njëpasnjëshme.

Sport
Duke nisur nga problemet financiare, lojtarët mbetën pa paga për disa muaj, kësisoj ndikuan që të këtë rënie edhe në rezultate, transmeton lajmi.net.
Por, tashmë ka nisur që të rregullohet situata te Drenica, me disa aksionarë që janë duke ardhur nga vendet e jashtme pritet t’i ndihmojnë skuadrës nga Skenderaj.
Trajneri i “Kuq e Zinjve”, Tahir Lushtaku në një intervistë për “Lajmi.net”, ka folur fillimisht për këto përgatitje, ku theksoi se kushtet nuk janë të mira dhe shpresojnë që të dalin jashtë Kosovës për t’u përgatitur më mirë.
“Kemi filluar me 7 janar, jemi duke u stërvitur me një fushë të mbuluar, kushtet nuk janë të mira për punë, por shpresoj që të lëvizini gjërat diku jashtë Kosovës”.
I pyetur për objektivat për këtë sezon të mbetur pranveror, Lushtaku tha se fillimisht duan të stabilizohen nga ana financiare, pastaj do shikojnë objektivat me aksionarët e rinj.
“Fillimisht të stabilizohemi si skuadër, të mos kemi probleme financiare edhe marrëveshjet që janë duke u bërë bisedimet me aksionarët që të kompletohet sa më shpejtë dhe të shohim pastaj si do rrjedhin gjërat dhe si do funksionojnë. Ne e kemi nisur mirë këtë kampionat, kemi pasur rezultate të mira deri të xhiro e 12-të, por pastaj problemet nga ana financiare ndikuan te rezultatet. Sikur të mos kishim probleme financiare, do ishim lartë në tabelë, të mos them në dy ose tre pozitat e para, me pikë të përafërta”.
Tekniku drenicas konfirmoi se e ardhmja e klubit konfirmohet në dy ditët e ardhshme, ku gjithçka që ka mbetur është vetëm të gjendet ‘gjuha e përbashkët’ mes aksionarëve dhe komunës.
“Shpresoj që brenda këtyre dy ditëve do dihet gjithçka, vendoset për të ardhmen e klubit dhe kahjen do shkojë klubi, pra a do arrihet marrëveshja mes aksionarëve dhe komunës. Shpresoj dhe besoj që do rregullohet, ngase ne nuk kemi kohë sepse kampionati vjen shumë shpejtë, ne na duhet të përgatitemi dhe me këto kushte nuk na mundësojnë siç duhet, por shpresoj që do arrihet marrëveshja e shpejtë dhe të bëhet zgjidhje që të përgatitemi jashtë Kosovës”.
Lushtaku foli edhe për ndeshjen e radhës, që është ndaj Prishtinës në kuadër të Kupës së Kosovës. Ai është optimist që mund të kualifikohen tutje, në rast që kryejnë fazën përgatitore diku jashtë vendit.
“Para kampionatit, është kupa, na pret një ndeshje e vështirë ndaj Prishtinës, edhe nëse ne arrijmë ta kompletojmë kohën me kohë dhe fazën përgatitore, unë besoj se do japim më të mirën sepse është vetëm një ndeshje, përball kemi Prishtinën, një skuadër jashtëzakonisht të fortë, por me punë dhe angazhim mund të arrihet gjithçka”.
Në fund, Lushtaku konfirmoi marrëveshjen në parim me disa futbollistë, por që do bëhen zyrtare sapo aksionarët të marrin drejtimin e klubit kosovar.
“Ne jemi në bisedime edhe me disa futbollistë, me njerëz që janë duke zhvilluar bisedimet edhe shpresoj që pastaj do shikojmë se çfarë futbollistë do afrojmë dhe të shohim ekipin e kompletuar. Realisht, ne kemi nevojë për portier, për repartin defensivë, kemi nevojë për intervenim në secilën pozitë. Me disa futbollistë kemi marrëveshje në parim, por ende nuk janë bërë publike”, deklaroi ai për lajmi.net.
Kujtojmë, se Drenica sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e gjashtë me 23 pikë, 12 prapa liderit, Gjilani./Lajmi.net/