BQK siguron klientët e Bankës Ekonomike se mjetet e tyre janë të pandikuara dhe të sigurta

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është informuar me kohë nga Banka Ekonomike lidhur me sulmin kibernetik duke ndikuar në funksionalitetin e disa shërbimeve bankare, të cilat më pastaj bazuar në konfirmimin e bankës, këto shërbime bankare janë kthyer në gjendje normale.

Lajme

24/04/2020 17:53

Me këtë rast, Banka Ekonomike ka informuar edhe organet shtetërore, të cilat merren me siguri kibernetike dhe me çështje të të dhënave personale.

Konform fushëveprimit dhe mandatit të BQK-së, ju informojmë që mjetet në llogaritë e klientëve janë të sigurta, por që sulmi kibernetik ka të bëjë me rrjedhje të informatave që lidhen me fushën e privatësisë.

Banka në fjalë, tashmë ka ndërmarrë hapat konkret në kontekst të hulumtimit dhe eliminimit të këtij sulmi kibernetik.

Po ashtu, BQK përcjellë në vazhdimësi stabilitetin e sektorit bankar dhe të bankave individuale, e që bazuar në treguesit kryesor financiar sektori bankar është stabil. /Lajmi.net/