​BQK merr pjesë në Takimet pranverore të FMN-së e BB-së në Uashington

Një delegacion i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, po merr pjesë në Takimet pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), nga data 21 deri më 26 prill në Uashington. Përfaqësuesit e BQK-së do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do…

Lajme

21/04/2025 21:03

Një delegacion i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, po merr pjesë në Takimet pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), nga data 21 deri më 26 prill në Uashington.

Përfaqësuesit e BQK-së do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet mbi zhvillimet më të fundit financiare dhe ekonomike, si dhe për pritjet në të ardhmen.

Guvernatori Ismaili do të prezantojë zhvillimet kryesore dhe prioritetet në sektorin financiar, rezultatet nga zbatimi i programeve dhe asistencave teknike profesionale, si dhe nevojat për mbështetje të mëtejshme teknike.

Gjithashtu, në margjina të këtyre takimeve, me ftesë të Bankës Botërore, më datë 28-29 prill do të merr pjesë në forumin ekzekutiv me guvernatorë nga vende të ndryshme të botës lidhur me menaxhimin e rezervave ndërkombëtare në kuadër të programit RAMP, ku BQK është anëtarësuar në vitin 2023.

Delegacioni i BQK-së do të zhvillojë takime me drejtuesit e FMN-së, BB-së dhe Bankës Qendrore Evropiane, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) si dhe përfaqësues të bankave qendrore dhe institucioneve financiare partnere, për të forcuar bashkëpunimin në fusha të përbashkëta interesi.

Takimet pranverore mbledhin së bashku bankierë qendrorë, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar çështje me rëndësi globale, si perspektivat ekonomike, lufta kundër varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.