“Bota serbe” kërcënim real për Kosovën

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka hartuar “Strategjinë e Mbrojtjes” përmes së cilës identifikohen kërcënimet dhe rreziqet kryesore që i kanosen Kosovës. Aty kërcënimi më i madh cilësohet Serbia dhe Rusia, por nuk lihen anash as shërbimet e huaja inteligjente që veprojnë në Kosovë. Në pah vihet edhe rreziku nga ekstremizmi fetar dhe…

Lajme

24/03/2023 23:12

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka hartuar “Strategjinë e Mbrojtjes” përmes së cilës identifikohen kërcënimet dhe rreziqet kryesore që i kanosen Kosovës. Aty kërcënimi më i madh cilësohet Serbia dhe Rusia, por nuk lihen anash as shërbimet e huaja inteligjente që veprojnë në Kosovë. Në pah vihet edhe rreziku nga ekstremizmi fetar dhe nacionalist.

Kur ish-Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, kohë më parë shfaqi në publik termin “Bota Serbe”, vendet ballkanike e pritën me shumë shqetësim.

Kjo pasi Vulin në deklaratat e tij kishte thënë se në mënyrë që “Bota Serbe” të jetë e suksesshme Serbia duhet të ketë një ushtri që është në gjendje të ruaj vet Serbinë dhe serbët kudo që jetojnë”.

Një gjë e tillë shihet si një projeksion strategjik për një hegjemoni të re të Serbisë në rajon.

Se kjo ide vazhdon të jetë shqetësuese e dëshmon edhe fakti se është përfshirë në “ Strategjinë e Mbrojtjes së Kosovës” drafti i së cilës tashmë është në konsultim publik.

“Bota Serbe” në këtë dokument cilësohet si një nga rreziqet më të mëdha që i kanoset Ballkanit Perëndimor.

“Kërcënimet dhe rreziqet që do ta karakterizojnë Ballkanin Perëndimor brenda kornizës kohore afatmesme vazhdojnë të jenë të pranishme qëllimet politike për hegjemoni nga Serbia – ‘Projekti ideor Bota Serbe; Pretendimet territoriale dhe kontestet ndërmjet shteteve të ish-Jugosllavisë dhe më gjerë në rajon, Garat për armatim, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të rritur fuqinë luftarake dhe të tjera”, thuhet në dokument.

Në fakt, në këtë draft të Strategjisë së Mbrojtjes janë evidentuar shumë rreziqe e kërcënime që i kanosen Kosovës.

Por, rreziku kryesor parasëgjithash vije nga fqinji verior dhe atë në shumë dimensione.

“Serbia në vazhdimësi ka demonstruar që ka aftësitë, kapacitetet si dhe synimin për të quar përpara interesat e saj duke cenuar interesat si dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës. Republika e Serbisë vazhdon të përdorë në mënyrë të sinkronizuar të gjitha elementet e saja përmes metodave hibride kundër Republikës së Kosovës. Në fushën e diplomacisë ndërkombëtare, ajo vepron kundër shtetësisë dhe integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Në territorin e Republikës së Kosovës, ajo përdor elemente informative dhe ekonomike për ta instrumentalizuar pakicën serbe dhe për t’i fuqizuar strukturat paralele, duke penguar procesin e integrimit të tyre. Në të njëjtën kohë”, theksohet në dokument.

Por, ajo që bije në sy në Draftin e Strategjisë së Mbrojtjes së Kosovës, është fakti se jo vetëm Serbia dhe Rusia kanë interesa për të destabilizuar shtetin më të ri në Evropë.

Këtu paraqitet fakti se shërbime të fshehta që qëllimet i kanë të këqija, operojnë në Republikën e Kosovës e madje janë demaskuar edhe qëllimet e tyre.

“Veprimtaritë e ndryshme, përmes operacioneve të tyre të fshehta, të cilat janë të fokusuara në pengimin e proceseve demokratike në Kosovë, paraqesin rrezik real për shtetin dhe për institucionet e Kosovës. Veprimtaritë influencuese dhe dezinformuese të shërbimeve informative dhe të sigurisë së shteteve dhe akterëve joshtetërorë përbëjnë kërcënim në rritje. Këta akterë përdorin tërësi mjetesh dhe mekanizmash (financim të strukturave kriminale, organizata joqeveritare, mjete të informimit), si dhe operacione të inteligjencës për të dëmtuar imazhin dhe interesat e Republikës së Kosovës”, thuhet në dokument, shkruan Dukagjini.

Pos rreziqeve të lartcekura, sipas këtij dokumenti Kosova mbete e ekspozuar edhe ndaj ekstremizmit fetar dhe atij nacional.

“Ekstremizmi me natyrë nacionaliste ne vend është më shumë i pranishëm në ato rajone ku ndarja mbi baza etnike është më e theksuar. Keqpërdorimet e qëllimshme ideologjike Islame apo Pravosllave – Ortodokse shërbejnë si bazë për përhapjen e qëndrimeve ekstremiste të cilat mund të përshkallëzohen duke u shndërruar në një kërcënim real për prishjen e stabilitetit të brendshëm në vend dhe kryerjen e akteve terroriste”.

Në këtë draft strategji të mbrojtjes përmenden si jo më pak të rëndësishme edhe rreziqet nga Fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga faktori njeri.