Bota pa Dolby’n

Termi \"Dolby\" është sinonim për cilësinë maksimale të zërit. Për kontributin e tij prej pionieri në audio inxhinieri, ai ka fituar Çmimin Oscar, disa Çmime Emmy dhe një Grammy.

Auto & Tek

14/09/2013 22:58

Ray Dolby, pionieri i inxhinierisë së zërit, i cili e ka revolucionarizuar industrinë e muzikës me zbulimin e sistemit për zvogëlimin e zhurmës, duke e transformuar kinemanë dhe argëtimin multimedial në shtëpi, ka vdekur në moshën 80 vjeçare, në San Francisco.

Termi “Dolby” është sinonim për cilësinë maksimale të zërit. Për kontributin e tij prej pionieri në audio inxhinieri, ai ka fituar Çmimin Oscar, disa Çmime Emmy dhe një Grammy.

I shkolluar në Stanford dhe Cambridge, në vitin 1965 themeloi Dolby Laboratories në Londër. Së shpejti e krijoi teknologjinë e cila prodhonte zë më të pastër dhe më autentik, duke i zvogëluar në mënyrë elektronike fërshëllimat e incizimeve analoge të kasetave.

Decca Records ishte klienti i parë që bleu Dolby sistemet. Teknologjia e zvogëlimit të zhurmës menjëherë u bë pjesë esenciale e kompanive të mëdha diskografike.

Studiot filmike filluan ta pranojnë sistemin në vitet 1970, duke filluar nga filmi i Stanley Kubrick, “A Clockwork Orange”, në vitin 1971.

Në vitet 1980, Dolby Laboratories për herë të parë u ofroi konsumatorëve teknologjinë digjitale të zërit në formatin e kinemave shtëpiake.

 A.M.

Video përkujtim për Ray Dolby, realizuar nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij.