Bota arabe kushtëzon Katarin
Katër shtete arabe i kanë dërguar Katarit një listë prej 13 kërkesash që duhet t’i përmbushë, nëse do që t’i hiqen sanksionet.
Bota
Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i kanë kërkuar Katarit, mes tjerash, të mbyllë transmetuesin e tij, Al Jazeera-n, të reduktojë lidhjet me Iranin dhe të mbyllë një bazë ushtarake turke – që të gjitha brenda dhjetë ditësh.
Katari, për më shumë se dy javë, është izoluar nga fqinjët arabë, nën akuzat se financon terrorizmin dhe nxit jostabilitet.
Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, ka thënë më herët se nuk do të negociojë derisa të hiqen masat ndëshkuese.
Ai po ashtu ka mohuar se vendi i tij mbështet “ndonjë organizatë terroriste”.