Bosi turk i kriptomonedhave Faruk Fatih Özer gjendet i vdekur në burg pas ekstradimit nga Shqipëria

Faruk Fatih Özer, themeluesi i skemës së kriptomonedhave Thodex, i cili u kap dhe u ekstradua nga Shqipëria në Turqi, është gjetur i vdekur në qelinë e burgut. Sipas mediave turke, zyra e Prokurorit Publik të Tekirdagut ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Trupi i Özerit është dërguar në Institutin e…

Bota

01/11/2025 17:44

Faruk Fatih Özer, themeluesi i skemës së kriptomonedhave Thodex, i cili u kap dhe u ekstradua nga Shqipëria në Turqi, është gjetur i vdekur në qelinë e burgut.

Sipas mediave turke, zyra e Prokurorit Publik të Tekirdagut ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Trupi i Özerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, transmeton lajmi.net.

Özer u dënua nga Gjykata e Stambollit me 11,196 vjet burg, pasi akuzohej për mashtrim të 391,000 qytetarëve nëpërmjet kriptomonedhave, me një dëm ekonomik të vlerësuar në 2 miliardë dollarë. Hetimi, që përfshinte edhe vëllezërit dhe motrat e tij si dhe katër punonjës të lartë të Thodex, çoi në arrestimin e të paktën 83 individëve.

Gjatë procesit gjyqësor, 21 të pandehur u ballafaquan me mundësinë e dënimeve deri në 40,564 vjet burg. Në vendimin e fundit të Gjykatës së 9-të Penale të Anadollit, 16 nga të pandehurit u shpallën të pafajshëm, ndërsa katër të tjerët u liruan për shkak të provave të pamjaftueshme. Të mbeturit morën dënime të ndryshme burgimi.

Özer, i arratisur që nga prilli i vitit 2021, akuzohej se në bashkëpunim me persona të tjerë kishte ngritur një skemë mashtrimi përmes krijimit dhe shitjes së kriptomonedhave, duke mashtruar rreth 400,000 investitorë në platformën e tij, tashmë të mbyllur./lajmi.net/