Të Infektuar: 9869

Të Shëruar: 5480

Të Vdekur: 303

Borxhi publik i Kosovës gjysmë miliardi euro

22:46 | 26 Korrik 2014

Borxhi publik i Kosovës ka kaluar mbi 507 milionë euro. Për pesë vitet e fundit është rritur për rreth 260 milionë euro. Kjo është rreth 9.2 për qind të Bruto Produktit Vendor (GDP). Bazuar në Ligjin për Borxhin Publik, vendi mund të hyjë në borxhe deri në 40 për qind të GDP-së, apo shprehur në shifra, ka hapësirë për të marrë edhe mbi 1.5 miliard euro të tjera borxh.

Njohës të ekonomisë thonë se rritja e borxhit nuk arsyetohet me gjendjen reale socio-ekonomike.

“Rritja e borxhit publik, do të justifikohej vetëm në rastet kur Kosova ka objektiva të qarta të zhvillimit, kur ka prioritete të qarta të zhvillimit dhe kur ekzistojnë projekte publike me të cila do të ushqehen këto prioritete. Ne ende në horizont nuk kemi ndonjë projekt profitabil të rëndësishëm, i cili do të premtonte rikthimin e mjeteve të investuara, pikërisht të mjeteve të cilat do të vinin nga ky në borxhet publike e Kosovës”, thotë Muhamet Sadiku, njohës i çështjeve ekonomike 

 

Sadiku thotë se shifrat e tanishme nuk e prishin stabilitetin makroekonomik, por situata mund të përkeqësohet nëse vazhdon kjo rritje.

Por përfaqësues të Ministrisë së Financave thonë se stabiliteti makrofiskal i Kosovës ka qenë dhe është në nivel e nuk ka vend për shqetësime.

“Këto borxhe që janë marrë, janë marrë për të financuar projekte infrastrukturore, dhe të cilat në pjesën dërmuese kanë qenë të kontraktuara me institucione financiare ndërkombëtare. A kanë sjellë zhvillim ekonomik? Natyrisht nëse shihet mesatarja e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, thotë Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave.

Sipas Ibrës, bazuar në Ligjin për Borxhin Publik, vendi mund të ketë borxh deri në 40 për qind të bruto produktit vendor, GDP.

Kurse për kryetarin e Odës Ekonomike,  menaxhimi i parasë publike duhet orientuar në drejtime që sjellin zhvillim.

“Këtu bëhet fjalë vetëm për një borxh publik i cili i takon qeverisë së Kosovës, por ajo çka është më shqetësuese për neve si përfaqësues të komunitetit të biznesit, është borxhi I cili nuk është I evidentuar në këtë formë përmes kompanive private në Kosovë dhe besoj që ai borxh është aq I madh sa që e kalon edhe borxhin institucional”, vlerëson kryetari i OEK, Safet Gerxhaliu.

Dhe këtu duhet të gjendet një balancë, që vërtet përmes këtyre borxheve të kemi një infuzion për mbështetje të sektori privat, për krijimin e perspektivës së punësimit, dhe për përmirësimin e mirëqenies sociale në Kosovë.

Borxhi  është arritur përmes aranzhmaneve me FMN-në, nga tregu i brendshëm përmes emetimit të letrave me vlerë dhe kreditë afatgjata nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Rreth  40 % e shumës së borxhit vjen nga koha e ish-Jugosllavisë, që është transferuar pas anëtarësimit të vendit në Bankën Botërore. (RTK)