“Bolero”, premierë në Kosovë

Shfaqja “Bolero”, me tekst dhe regji të Michael Pinchbeck do të prezantohet me premierë në Kosovë, shfaqje të cilës i janë rezervuar dy prezantime: Prishtinë dhe Prizren.

ShowBiz

01/03/2016 13:53

Florent Mehmeti, nga Teatri “ODA”, ka bërë të ditur për KultPlus se kjo shfaqje e cila është realizim i përbashkët mes Teatrit ODA, Nottingham Playhouse nga Mbretëria e Bashkuar dhe teatrit SARTR (Sarajevo Ratni Teatar) nga Bosnja e Hercegovina do të prezantohet me 1 mars në Teatrin ODA dhe 2 mars në atë të Przirenit, dhe që të dy terminet janë rezervuar prej orës 20:00.

Shfaqja “Bolero” u dha premierë në Nottingham Playhouse më 31 maj 2014, pas një seri rezidencash në Angli, Bosnjë e Hercegovine dhe Kosovë ku Florent Mehmeti nga Teatri ODA së bashku me ekipin e shfaqjes, 3 aktorë nga Sarajeva, 2 aktorë nga Notinghami dhe 1 aktore nga Berlini dhe me regjisorin Michael Pinchbeck kanë punuar në ndërtimin e këtij rrëfimi të jashtëzakonshëm teatror.

“Bolero” u shfaq edhe në Sarajevë, më 28 dhe 29 qershor 2014 gjatë shënimit të 100 vjetorit të Atentatit të Sarajevës, gjegjësisht fillimit të Luftës së Parë Botërore, për të vijuar me shfaqje tjera edhe në Zenicë, Tuzëll e Mostar gjatë tetorit 2014. “Përfundimisht “Bolero” po shfaqet edhe për publikun e Kosovës më 1 mars në Teatrin ODA me rastin e 13 vjetorit të themelimit të Teatrit ODA për të vazhduar në Prizren më 2 mars në Teatrin e Prizrenit”, ka shpjeguar Mehmeti, sipas të cilit kjo shfaqje për prezantim në Kosovë është mundësuar falë përkrahjes së zyrës së Këshillit Britanik në Kosovë.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Benjamin Bajramović, Amila Terzimehić, Ollie Smith, Nicki Hobday, Jasenko Pašić dhe Vera Molitor.