Blloku i historisë

Në historinë e Kosovës asnjëherë nuk ka ndodhur që katër parti rivale mes vete të bëhen bashkë kundër një partie të vetme.

Lajme

16/11/2014 08:59

Por, blloku i partive që po mbahen mend në histori, është gati të bëhet histori e pasuksesshme, shkruan sot Tribuna.

Përplasjet e mëdha në Bllok që kanë nisur për postin e kryeministrit po e trazojnë harmoninë e lindur shpejt në mes të Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt.

LDK-ja e Mustafës si dhe AAK-ja e Haradinajt, ditëve të fundit kanë zhvilluar “luftë” mbi postin e kryeministrit. Përderisa AAK-ja insiston që duhet respektuar marrëveshja e 10 qershorit, sipas të cilës Ramush Haradinaj bëhet kryeministër, LDK-ja pas dështimit të marrjes së postit të Kryeparlamentarit po kërkon me ngulm që të Isa Mustafa të udhëheq me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, i cili ka qenë pjesë e takimit të së premtes mes liderëve të Bllokut, takim i cili u mbajt në selinë e AAK-së, thotë se gjatë këtij takimi, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka shprehur kërkesën për rishqyrtim të marrëveshjes së 10 qershorit, e cila është edhe kërkesë e anëtarësisë së LDK-së.

“Ne e kemi bërë të qartë kërkesën tonë. Tani do të vazhdojmë t’i trajtojmë çështjet tona të brendshme dhe në momentin kur kemi diçka, do të komunikojmë”.

Sipas Veliut, në këtë takim,, ka pasur një mirëkuptim nga Ramush Haradinaj për kërkesën e Mustafës për ridizajnim të marrëveshjes.

“Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pasur mirëkuptim për kërkesën e Isa Mustafës dhe për rrethanat e reja të krijuara ditëve të fundit dhe ka mbetur që ne t’i vazhdojmë bisedat në të ardhmen”, ka thënë ai për Tribuna.

Ndërkaq, këshilltari i të parit të AAK-së, Avni Arifi insiston se nuk ka arsye që të ndërrohet i nominuari për kryeministër nga radhët e Bllokut.

“Me të vërtetë duhet të jetë një arsye shumë e madhe pse të ndërrohet mandatari. Fakti se e kemi humbur kryeparlamentarin, natyrisht se i ka implikimet e veta sa i përket ridizajnimit, por ky ridizajnim nuk nënkupton që të ndërrohet madatari”, ka thënë ai, shkruan Tribuna, transmeton lajmi.net.