Bllokohen pothuajse të gjitha daljet e Kosovës

Pothuajse nëpër të gjitha pikat kufitare qytetarët janë duke u përballur me pritje e kolona të gjata.

Lajme

08/08/2019 09:59

Bashkatdhetarët të cilët janë duke u kthyer në vendet evropiane ku ata jetojnë dhe veprojnë janë duke u përballur me pritje e kolona të gjata tash e sa ditë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar statistikat e fundit të fluksit nëpër pikëkalimet kufitare, shkruan lajmi.net.

Sipas kësaj qendre, Merdarja vazhdon të jetë pika kufitare më e ngarkuar.

Në Merdare për të dalë nga Kosova, bashkatdhetarët janë duke pritur deri në 2 orë e gjysmë, ndërkaq kolona ka arritur deri në 1 kilometër e gjysmë.

Po ashtu në hyrje të Kosovës në këtë pikë kufitare qytetarët janë duke pritur deri në gjysmë ore.

Edhe në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë pritjet janë në dalje të Kosovës, shkruan më tutje lajmi.net.

Sipas këtyre statistikave, pritjet te Dheu i Bardhë janë deri në dy orë kurse kolona është e gjatë 1.2 kilometra.

Edhe në Mutivodë, në dalje të Kosovës ka pritje dhe kolonë.

Në këtë pikëkalim pritja është deri në një orë kurse kolona është e gjatë 100 metra.

Ndërkaq në dalje të Kosovës në pikëkalimin kufitar në Jarinje, qytetarët janë duke pritur deri në 40 minuta dhe kolona ka arritur në 80 metra.

Sipas kësaj qendre, nëpër të gjitha pikat e tjera kufitare nuk ka pritje dhe kolona të gjata dhe se qytetarët detyrohen të presin më së shumti 10 minuta, kohë kjo që llogaritet të jetë normale. /Lajmi.net/