Bllokimi i urave, faza e re e protestave studentore në Serbi
Studentët dhe qytetarët në Serbi vazhdojnë protestat, duke mos hequr dorë nga kërkesat e tyre. Bllokimi i urave në Novi Sad shënoi një fazë të re të rezistencës, me mbështetje në rritje nga qytetarët. Për dy ditë, vëmendja e gjithë Serbisë ishte e drejtuar nga Novi Sadi, ku studentët ngritën një kamp proteste pranë…
Lajme
Studentët dhe qytetarët në Serbi vazhdojnë protestat, duke mos hequr dorë nga kërkesat e tyre. Bllokimi i urave në Novi Sad shënoi një fazë të re të rezistencës, me mbështetje në rritje nga qytetarët.
Për dy ditë, vëmendja e gjithë Serbisë ishte e drejtuar nga Novi Sadi, ku studentët ngritën një kamp proteste pranë Urës së Lirisë dhe rrugëve përreth. Me tenda dhe organizim të mirë, ata kaluan natën në një kamp improvizuar, ndërsa gjatë ditës u angazhuan në aktivitete sportive dhe shoqërore.
Qytetarët u ofruan ushqim dhe ndihma të tjera, duke treguar mbështetje për kërkesat e protestuesve. Bllokimi i Urës së Lirisë, fillimisht i planifikuar deri të dielën në orën 15:00, u shty edhe për tre orë me vendim të përbashkët. Studentët theksojnë se nuk do të tërhiqen pa realizimin e kërkesave të tyre.
“Ajo që po përjetoj këtu nuk mund të përshkruhet, duhet ta ndjesh. Solidariteti dhe uniteti tregojnë se ekziston një e ardhme më e mirë,” thotë një studente nga Novi Sadi.
“Pres më shumë qytetarë në rrugë. Nuk besoj se kërkesat do të përmbushen shpejt, po të kishin dashur, do ta kishin bërë,” shton një student tjetër.
Protesta kaloi pa incidente. Të shtunën, protestuesit fillimisht bllokuan tri urat kryesore të qytetit, më pas u përqendruan te Ura e Lirisë, duke e shndërruar atë në epiqendrën e rezistencës studentore.
Ky mobilizim konsiderohet si një nga më të rëndësishmit kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, duke tërhequr qytetarë nga e gjithë Serbia.
Në një reagim zyrtar, Vuçiq e cilësoi protestën si një “atmosferë panairi” dhe përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë qeveri kalimtare, por zgjedhje të reja.
Kjo protestë vjen tre muaj pas tragjedisë në stacionin hekurudhor, ku humbën jetën 15 persona. Studentët akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe neglizhencë, ndërsa bllokimi i urave shihet si një përshkallëzim i protestës me qëllim rritjen e presionit ndaj autoriteteve.