Blinken përshëndet njohjen e ndërsjelltë Kosovë – Izrael, a i dha fund kontestimit të ambasadës në Jerusalem?

Sot, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar Kosovën për përvjetorin e 13-të si shtet sovran dhe i pavarur.

Lajme

17/02/2021 22:10

Blinken ka thënë se SHBA-ja ndihet krenare me rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Kosovës si shtet i pavarur, dhe gjithashtu në pjesën e dytë të urimit të tij, ai ka përgëzuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit, shkruan lajmi.net.

“Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe përshëndesim përpjekjet tuaja për të normalizuara marrëdhëniet me Serbinë.”, tha Blinken.

“Në emër të Qeverisë së SHBA-së, dua ta uroj Kosovën pasi feston përvjetorin e 13-të si shtet sovran dhe i pavarur. SHBA-ja është krenare në rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Republikës së Kosovës të pavarur, për t’u zhvilluar në një vend multi-etnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe përshëndesim përpjekjet tuaja për të normalizuara marrëdhëniet me Serbinë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. SHBA-ja vlerëson lidhjen e fortë mes njerëzve tanë dhe do të vazhdojë të përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. I uroj siguri dhe shëndet të mirë njerëzve të Kosovës, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për të tejkaluar sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19”.” thuhet në urimin e Blinken.

Por, kjo deklaratë e tij vjen pas disa deklaratave të liderëve politikë në Kosovë ku kontestohet vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, qytet ky problematik për marrëdhëniet midis Izraelit dhe Palestinës, por gjithashtu i njohur si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-të.

Javë më parë, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca kishte deklaruar se nëse Bashkimi Evropian kërkon që Kosova ta largojë ambasadën nga Jerusalemi atëherë kjo çështje do të shqyrtohet.

“Ajo do të mbetet aty ku është, deri nëse eventualisht ne kushtëzohemi gjatë proceseve të ndryshme ndërkombëtarë që të mos jetë aty. Psh nëse Kosova kushtëzohet nga Bashkimi Evropian gjatë procesit integrimeve evropiane që hyrja jonë në BE të kushtëzsohet përmes ndryshimit të lokacioneve të ambasadës sonë, unë mendoj që kjo do të duhet të rishqyrtohej. Meqenëse është vitale për Kosovën dhe jetike që ne të bëhemi pjesë e BE-së”, tha Konjufca në Dukagjini.

Deklaratë të ngjashme pati edhe kandidatja për presidente dhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë e bërë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit të kaluar duhet të rishqyrtohet.

“Ne që të dy e kemi përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, por ajo që do të bëjmë në tërësi për këtë marrëveshje, nga pika e parë deri tek e fundit, është se do të insistojmë që të ulemi menjëherë urgjentisht pas krijimit të qeverisë me presidentin Biden dhe administratën e tij të re të, në mënyrë që të rishikojmë secilën pikë dhe të shohim cili është përkushtimi i tyre”, ka thënë Osmani.

Këto deklarata të Konjufcës e Osmanit vijnë pas deklarimeve të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken ku kishte përkrahur marrëveshjen e 4 shtatorit, ndërsa deklarata e tij e sotme mund të jetë një ripërsëritje se vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është çështje e mbyllur. /Lajmi.net/