Të Infektuar: 4931

Të Shëruar: 2267

Të Vdekur: 102

Blerje e madhe e produkteve serbe, 30 milionë euro mallra u importuan në Kosovë nga shteti fqinj

23:02 | 29 Maj 2020

Që nga 1 prilli Kosova ka vendosur masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Më 1 prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të heq taksën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe për mallrat e Serbisë e vendosi masën e reciprocitetit.

Që nga ajo kohë deri më tani në Kosovë nga Serbia janë importuar 30 milionë euro mallra.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për lajmi.net, se kryesisht janë mallra ushqimore, si miell dhe grurë.

“Që nga vendimi i Qeverisë pra nga data 1 prill e deri tani kanë hyrë rreth 30 milionë. Kryesisht industria e ushqimit dhe produktet si miell dhe grurë”, ka treguar Stavileci për lajmi.net.

Në anën tjetër, kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini ka bërë të ditur se me importin e mallrave serbe edhe kosovarët kanë filluar konsumin e tyre.

Sipas Shahinit, pavarësisht vendosjes së taksës dhe të fushatës që ka bërë AKB-ja, varfëria ka ndikuar që kosovarët të mos heqin dorë nga mallrat serbe, pasi që siç theksoi ai për lajmi.net, çmimet e produkteve serbe janë më të lira dhe më të kapshme për xhepin e tyre.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se pas hapjes së kufijve bizneset kosovare do të orientohen edhe më shumë nga tregu i Serbisë.

“Pas heqjes së taksës për produktet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës është vërejtur një fluks më i madh i importeve ku deri më tani i kemi mbi 30 milionë euro import nga Serbia dhe kryesisht janë produkte ushqimore dhe këto vërehen më së shumti nëpër pikat e shitjes me pakicë dhe tashmë dihet se lider i importeve në Kosovë kush është dhe kush importon. Por njëkohësisht edhe konsumatorët kanë filluar të kthehen më shumë nga produktet e tyre për arsye të ndryshme sepse ata po subvencionojnë çmimet, janë çmime të cilat konsumatori i jonë po i pranon më lehtë për shkak të krizës dhe pandemisë e cila i ka prekur të gjithë qytetarët dhe tashmë ndjenjat patriotike-ekonomike janë të vogla për arsye të varfërisë dhe skamjes. Ka disa konsumatorë që nuk duan t’i blejnë, pra i refuzojnë por nuk ka pasur paralajmërime të mëdha të konsumatorëve pse nuk i blejnë, më shumë po blejnë. Dhe nisur nga ky fakt edhe bizneset kosovare tash janë orientuar nga Serbia nga tregu i Serbisë dhe janë duke importuar pas përfundimit të pandemisë dhe hapjes së kufijve ne do të kemi një vërshim të madh të importeve nga Serbia por edhe të blerjeve të produkteve serbe dhe të Bosnjës në Kosovë”, ka thënë Shahini për lajmi.net

Ai ka thënë se qytetarët vazhdojnë të konsumojnë produkte serbe dhe se sipas Shahinit, kjo po ndodh pasi që ka mungesë të strategjisë shtetërore që t’ mbrojë dhe t’i dalë në ndihmë qytetarëve.

“Vetëdija konsumuese e kosovarëve përkundër që Aleanca e Biznesit nga viti 2003 dhe këtej bën fushatë kundër prodhimeve të Serbisë, përkundër taksës e cila ishte një taksë që i dha një goditje të madhe ekonomisë së Serbisë gjatë kësaj periudhe, një taksë e cila ndaloi prodhimet e Serbisë në Kosovë, por tashmë kur varfëria qytetarët po i prek dhe shteti dhe dora e ngrohtë e shtetit po mungon për t’i ndihmuar qytetarët e vet dhe ajo pakoja e paralajmëruar ende nuk është realizuar dhe ende qytetarët e vendit dhe shumë punëtorë janë pa paga edhe në sektorin privat kurse në sektorin publik të gjithë i kanë marrë pagat dhe i kanë marrë me kohë nga taksapaguesit privat dhe kjo e bën konsumatorin të varfër. Por vetëdija qytetare do të mbetet vetëm nëse ne e mbajmë fuqinë konsumuese aktive duke e subvencionuar pagat e punëtorëve, duke mbështetur konsumatorin dhe jo duke e ushqyer me deklarata të cilat janë pa mbulesë dhe pa shpresë për të dalë nga varfëria”, theksoi Shahini.

Nga Oda e Afarizmit të Kosovës i kanë thënë lajmi.net, se akoma nuk kanë të dhëna nëse qytetarët po konsumojnë produkte serbe. Sipas tyre, qytetarët e Kosovës janë vetëdijesuar që të mos konsumojnë produkte serbe.

“Sa i përket çështjes së ngritur, ne ende nuk kemi të dhëna të sakta me që është herët sepse të dhënat publikohen çdo tre muaj, mirëpo prodhimet vendore vazhdojnë të kenë treg të mirë, do të thotë nuk ka rënie dhe po shpresojmë që në bazë të analizave të më hershme qytetarët do të jenë të vetëdijesuar dhe do të përkushtohen në konsumin e produkteve vendore dhe jo atyre serbe”, thuhet në përgjigjen e OAK-së. /Lajmi.net/