Blerim Isufaj: Mirë që nuk më duan Osmani e Kurti, nuk prishë punë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është deklaruar hapur rreth mosdekretimit të tij si Kryeprokuror i Shtetit, duke komentuar zërat publikë se arsye për këtë vendim mund të jetë tërheqja e urdhër-arrestit për Milan Radoiçiqin në vitin 2021. Në një intervistë për “KallxoPërnime”, ai tha se nuk e di arsyen pse nuk është…

Lajme

27/07/2025 21:11

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, është deklaruar hapur rreth mosdekretimit të tij si Kryeprokuror i Shtetit, duke komentuar zërat publikë se arsye për këtë vendim mund të jetë tërheqja e urdhër-arrestit për Milan Radoiçiqin në vitin 2021.

Në një intervistë për “KallxoPërnime”, ai tha se nuk e di arsyen pse nuk është dekretuar, por se nëse tërheqja e urdhër-arrestit është një prej arsyeve, atëherë sipas tij “kjo nuk duhet me qenë arsyeja”.

“Unë mendoj që këtu nuk ka arsye hiç. Nëse kjo është arsyeja, kjo nuk duhet me qenë arsyeje. Por të jeni të sigurt se unë arsyet nuk i di për mosdekretim” – deklaroi Isufaj.

Pasi u përmend fakti që kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar në Kuvend se nuk i beson Isufajt, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani dhe ish-kryeparlamentarin Glauk Konjufca, ai u përgjigj qartë duke thënë se nuk i prishë punë kjo gjë.

“Ata kanë thanë që s’më duan, edhe mirë që nuk m’dojnë. Nuk prishë punë. Nuk e di pse nuk më duan, pyetni ata.”

Blerim Isufaj u shpreh i vendosur për integritetin e tij personal dhe profesional.

“Shiko… kurrë në jetën time, më para e pranoj vdekjen se poshtërimin. As edhe një lidhje me Radoiçiqin e as Radoiçiqët kurrë në jetë, as mirëdita as dobar dan. Unë i ftoj të gjitha institucionet e Kosovës që kush ka argument për mua në këtë drejtim të i prezantoj, por nuk ka çka me prezantu sepse kurrkush nuk e di më mirë se unë punën time për veten time.”

Isufaj u shpreh i habitur se si mund të jetë në krye të Prokurorisë Speciale, kurse nuk bën për kryeprokuror të shtetit.

“Duhet me ditë krejt opinioni një gjë – integriteti është një, nuk është dy e as tre, integriteti ose ekziston ose nuk ekziston. Nëse ekziston, unë e plotësoj atë kusht. Nëse nuk ekziston tek unë, unë nuk duhet të jem as kryeprokuror i Prokurorisë Speciale”- tha ai.

Kryeprokurori i Speciales, tha se nuk flet me presidenten Vjosa Osmani e as me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

“Rrallë i shoh, jo nuk flasim. Unë komunikimin e bëj në bazë të obligimeve ligjore. Me ata që nuk kam obligim ligjor, atëherë është çështje e vullnetit. Është diçka tjetër ajo që e kam obligim, diçka tjetër ajo që dua me e ba.”

Ndërsa për deklaratat e Presidentes Vjosa Osmani, e cila pati përmendur në një konferencë se i është thënë që do të përballet me aktakuzë nëse nuk e dekreton Isufajn, ai tha:

“Ata që më njohin e dinë se unë nuk jam naiv. Kurrë në jetën time diçka e tillë prej gojës sime nuk ka dalë. Unë jam përmbajtur shumë përkundër sulmeve dhe fyerjeve që mi kanë ba në mënyrë të parreshtur. Nuk mendoj unë për këto pjesë”- tha në fund Isufaj.

I pyetur për kritikat ndaj procesit të përzgjedhjes në Këshillin Prokurorial, që janë përmendur si arsye për mosdekretimin e tij, Isufaj theksoi se nuk është ai që duhet të mbrojë KPK-në, por që procesi ishte i rregullt dhe transparent.

“Unë nuk jam ai që duhet me e ba avokatin e Këshillit. Unë kam qenë një kandidat që ju kam nënshtru një procesi në bazë të konkursit që ka shpallur Këshilli Prokurorial i Kosovës. Deri më sot unë asnjëherë nuk kam parë një vendim të arsyetuar se pse unë nuk jam i dekretuar. Ose nuk kam parë nga askush, deri më sot pse ky proces qe i mangët, cili ligj u shkel, cila normë u shkel? Përveç një pretendimi abstrakt, procesi… procesi.”

Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, kishte thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.

“Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”- kishte thënë presidentja Osmani.