Bizneset protestojnë sot në Prishtinë, për dy orë mbyllen hyrjet kryesore të kryeqytetit
Sot, më 29 maj, në orën 10:00, do të mbahet protesta e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë – një vendim që sipas komunitetit të biznesit, rrezikon stabilitetin ekonomik, prodhimin vendor dhe vendet e punës. Protesta përfshin për dy orë…

Lajme
Sot, më 29 maj, në orën 10:00, do të mbahet protesta e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë – një vendim që sipas komunitetit të biznesit, rrezikon stabilitetin ekonomik, prodhimin vendor dhe vendet e punës.
Protesta përfshin për dy orë bllokim të rrugëve në hyrje-dalje të Prishtinës.
Komuniteti i bizneseve thotë se qëllimi i protestës nuk është kundërshtimi i daljes në tregun e lirë, por kërkesa për kohë të mjaftueshme që tregu dhe bizneset të përgatiten, në mënyrë që të shmangen pasojat negative.
Pikat e bllokimit do të jenë Veterniku – rruga që vjen prej Gjilanit, Ferizajt dhe Prizrenit, te Dukagjini Center – rruga prej rrethit te Dukagjini, por që shkon për në Mitrovicë, dhe tjetra prej Podujevës.
Ata kërkojnë nga institucionet e vendit të mos i dëmtojnë bizneset dhe ekonominë e vendit, pasi vendimi për tregun e hapur për energjinë nga 1 qershori “është i nxituar, i pa analizuar dhe dëmton bizneset”, ndërkohë kanë paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reflektim institucional, atëherë do të ketë protesta të radhës.
Komuniteti i biznesit dhe disa parti politike kanë kërkuar shtyrjen e kërkesës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për treg të hapur energjetik.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka paralajmëruar se do të fillojë betejën ligjore për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për liberalizimin e shpejtë të tregut të energjisë, pasi siç thuhet është marrë pa një analizë të mirëfilltë dhe pa asnjë konsultim me palët e interesit.