Kriza politike thellohet: Kuvendi i injoruar, thirrje për zgjedhje të reja dhe kritika ndaj Kurtit e Osmanit

Dy deputetët nga opozita, Lutfi Haziri nga LDK dhe Ganimete Musliu nga PDK, kanë reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe qëndrimeve të Presidentes Vjosa Osmani, duke akuzuar qeverinë dhe lidershipin shtetëror për shkelje të Kushtetutës dhe thellim të krizës institucionale. Deputeti Haziri theksoi se “askush s’ka të drejt të ndërhyjë në sovranitetin e…

Lajme

10/09/2025 21:07

Dy deputetët nga opozita, Lutfi Haziri nga LDK dhe Ganimete Musliu nga PDK, kanë reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe qëndrimeve të Presidentes Vjosa Osmani, duke akuzuar qeverinë dhe lidershipin shtetëror për shkelje të Kushtetutës dhe thellim të krizës institucionale.

Deputeti Haziri theksoi se “askush s’ka të drejt të ndërhyjë në sovranitetin e Kuvendit”, duke rikujtuar se ai është institucioni më i lartë kushtetues që zgjedh presidentin, qeverinë dhe gjyqtarët kushtetues.

Ai paralajmëroi për rrezikun që vjen nga “sulmet e paprecedente ndaj Gjykatës Kushtetuese”, që sipas tij, ndodhën para syve të Presidentes Osmani.

“Askush s’ka të drejt të ndërhyjë në sovranitetin e Kuvendit të Republikës. Ne jemi organi më i lartë kushtetues dhe ne zgjedhim Presidentë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Qeveri. Të tjerët duhet t’i subordinohen Kuvendit të Republikës, dhe jo e kundërta.”

Haziri gjithashtu vlerësoi se Presidentja ka dështuar në rolin e saj si gardiane e Kushtetutës, duke thënë se “ka qenë me duar të lidhura” në këtë proces.

“Unë vazhdoj me besu që presidentja Osmani në këtë rrugë politike ka qenë me duar të lidhura, pavarësisht se ka premtuar që ka me qenë gardiane e pakompromis të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja Ganimete Musliu u shpreh për Lajmi.net se “me Albin Kurtin nuk ka kthim në normalitet”, duke e akuzuar atë dhe bashkëpunëtorët e tij për krijimin e krizës aktuale dhe “shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës”.

“Me Albin Kurtin nuk ka kthim në normalitet. Ky person nuk e ka dhe as nuk e ka pasë ndonjëherë për qëllim normalizimin e këtij vendi dhe të kësaj shoqërie sepse ky nuk mund të funksionojë në suza të normales. Për fat të keq një numër i qytetarëve kanë rënë pre e manipulimeve të tij. Unë nuk jam optimiste përderisa Albin Kurti është Kryeministër, Dimal Basha Kryeparlamentar dhe Vjosa Osmani Presidente. Kjo treshe është e keqja e madhe për vendin,” deklaroi Musliu për lajmi.net

Ajo tha se “VV është në rënie rapide” dhe se pushteti aktual “po tenton me çdo kusht të shmangë zgjedhjet”.

“Zgjedhjet janë një mundësi reale për të bërë një zgjidhje të qëndrueshme. VV është në rënie rapide. Albini dhe Dejona e dinë këtë, prandaj me çdo kusht do përpiçen të shmangin zgjedhjet. Unë jam pro shkuarjes në zgjedhje. Ata që gjatë këtyre shtatë muajve u bënë pjesë të kësaj shfaqje makabre do të ishte mirë të përballëshin me votuesit e tyre të cilëve u premtonin krejt diçka tjetër”, tha ajo për lajmi.net

Musliu i quajti drejtuesit e shtetit “superkriminelë që duhet të ishin në burg, e jo në krye të institucioneve”, dhe shtoi se zgjedhjet janë e vetmja rrugë për “zgjidhje të qëndrueshme” të situatës politike.

“Vendi do duhej të shkonte në zgjedhje. Jo për faktin që VV-ja doli e para, por sepse kanë bërë shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës. Ai e ka thënë vet se ai që e shkel kushtetutën është superkriminel. Pra kemi të bëjmë me një grup superkriminelësh të cilët do duhej të ishin në burg e jo në krye të institucioneve”, u shpreh ajo./Lajmi.net/