Bizneset në veri nuk u shkyçën nga rrjeti energjetik, ZRrE-ja jep përgjigje
Mbi 1 mijë e 400 njehsorë elektrikë të bizneseve të ndryshme në disa komuna të Kosovës janë shkëputur nga rrjeti i energjisë elektrike, si pasojë e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që obligon bizneset të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, raporton KosovaPress. Megjithatë, ky vendim nuk po zbatohet në katër…

Lajme
Mbi 1 mijë e 400 njehsorë elektrikë të bizneseve të ndryshme në disa komuna të Kosovës janë shkëputur nga rrjeti i energjisë elektrike, si pasojë e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që obligon bizneset të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, raporton KosovaPress.
Megjithatë, ky vendim nuk po zbatohet në katër komunat veriore të Kosovës, ku bizneset furnizohen me energji nga kompania “Elektrosever”. Kjo kompani nuk i nënshtrohet tarifave të rregulluara nga ZRRE-ja, dhe deri më tani nuk janë ndërmarrë masa për shkyçjen e konsumatorëve në këtë pjesë të vendit.
Përjashtimi i bizneseve në katër komunat veriore nga obligimi për daljen në treg të lirë po konsiderohet diskriminues nga ekspertë të ekonomisë dhe avokatë.
Ata thonë se Ligji për Energjinë Elektrike zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pa dallim veri apo jug. Sipas tyre, kjo çështje duhet të rregullohet nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Derisa nuk përjashtojnë mundësinë që kjo çështje të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Eksperti i ekonomisë, Kushtrim Ajavzi thotë për KosovaPress se bizneset në veri, të cilat furnizohen nga “Elektroseveri”, nuk janë përfshirë në tregun e lirë, dhe për këtë arsye nuk po paguajnë çmime më të larta, ndryshe nga bizneset në pjesët tjera të Kosovës, që sipas tij po përballen me fatura deri në trefish më të larta për të njëjtin konsum dhe prodhim.
Ai e quan këtë diskriminim të radhës duke theksuar se Ligji për Energjinë nuk bën ndarje, ndërsa përmend se Kushtetuta e Kosovës garanton mosdiskriminimin territorial.
“Në bazë të informatave që ne i kemi marrë katër komunat veriore nuk bëjnë pjesë në daljen e tregut të lirë të energjisë elektrike, sepse ato me një marrëveshje furnizohen nga Elektroseveri dhe nuk bëjnë pjesë në tregun e lirë të bizneseve. Ky është një diskriminim i radhës, sepse bizneset këndej ure do të paguajnë deri në trefish më shumë energjinë elektrike. Ndërsa, andej ure për konsumin e njëjtë, për prodhimin e njëjtë, nuk do të paguajnë trefish sikurse që paguajnë bizneset këndej…Ligji për energjinë mbi bazën sikurse është thirrur ZRRE që ne do të dalim në tregun e lirë, bazuar në ligjin, i cili është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas ligjit nuk ka ndarje të territoreve në veri apo në jug, në lindje a perëndim. Ligji flet për komplet territorin e Republikës së Kosovës. Në një situatë normale është dashur të trajtohet si i tillë…ZRRE-ja është dashur ta rregullojë këtë çështje. Ndërsa, Kushtetuta e Kosovës është për të gjithë territorin e Kosovës dhe parasheh që nuk do të ketë diskriminim në baza territoriale për bizneset”, thotë Ajvazi.
Ndërkaq, ZRRE-ja në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thotë se deri tani nuk janë ndërmarrë masa shkyçjeje për konsumatorët në veri për shkak të mos ndryshimit të furnizuesit.
ZRRE thotë se çdo konsumator në Kosovë, pa marrë parasysh se ku ndodhet, ka të drejtë të zgjedhë ose të ndryshojë furnizuesin e energjisë elektrike.
Sipas ZRRE-së, kompania Elektrosever është licencuar si furnizues për katër komunat veriore, por ajo nuk i nënshtrohet tarifave të rregulluara nga ZRRE-ja dhe nuk ka obligime të shërbimit publik. Po ashtu sipas ZRRE, Elektrosever vepron si furnizues komercial, duke operuar vetëm në atë zonë specifike.
“Çdo konsumator në Republikën e Kosovës, pavarësisht vendndodhjes së tij gjeografike, ka të drejtë të zgjedhë ose të ndryshojë furnizuesin me energji elektrike. Kjo e drejtë buron nga legjislacioni për energjinë elektrike dhe zbatohet njësoj për të gjithë konsumatorët, përfshirë edhe konsumatorët në komunat veriore. Në këtë kuptim, ZRRE ka licencuar kompaninë Elektrosever, e cila furnizon konsumatorët në katër komunat veriore. Ky furnizues nuk i nënshtrohet tarifave të rregulluara nga ZRRE-ja dhe, nuk mban obligim të shërbimit publik, por ushtron aktivitetin e tij si furnizues komercial, me veprimtari të kufizuar vetëm në atë territor. Deri më tani, në komunat veriore nuk janë ndërmarrë masa shkyçjeje të konsumatorëve për arsye të mosndryshimit të furnizuesit. Parimi mbetet i njëjtë: çdo konsumator në Kosovë duhet të furnizohet nga një furnizues i licencuar dhe ka të drejtë të zgjedhë furnizuesin që dëshiron”, thonë nga ZRRE-ja në përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Kurse, avokati Ardian Bajraktari potencon se çdo përjashtim i ndonjë komuniteti apo komune nga rregullat e përgjithshme, si në rastin e mos-përfshirjes së komunave veriore në tregun e lirë ose në rastin e rritjes së çmimit me 16.1% në maj për energjinë elektrike, për pjesën tjetër të vendit, është një veprim diskriminues.
Bajraktari kërkon që edhe palët e autorizuara ligjërisht të veprojnë dhe ta adresojnë këtë çështje në gjykatë, për të garantuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim komune apo komuniteti.
“Sa i përket çështjes së daljes në treg të hapur, natyrisht që ky vendim në bindjen time nga ana e zyrës së rregullatorit të energjisë, është marrë fillimisht në shpërputhje me dispozitat respektive të ligjit…Çfarëdo përjashtimi në këtë rast të një komuniteti të caktuar, ose komunave të caktuara qoftë në vendimin për daljen në treg të hapur, qoftë në vendimin për shtrenjtimin e energjisë për qytetarët e vendit në masë prej 16.1 për qind, është një vendim i natyrës diskriminuese për çka jam shumë optimist se instancat gjyqësore kur t’i vije radha do ta trajtojnë, përkatësisht do të konstatojnë si të tillë…Vlerësoj që është vendim i natyrësdiskriminuese dhe si i tillë duhet të konstatohet nga ana e gjykatave. Standardin e njëjtë duhet ta ndjekin edhe palët e autorizuara për ta adresuar çështjen në gjykatë”, potencon Bajraktari.