Bizneset kalojnë në tregun e lirë energjetik, AKB paralajmëron përshkallëzim të protestave nëse nuk pezullohet vendimi

Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i cili nga sot ka hyrë në fuqi dhe i detyron rreth 1,300 biznese në Kosovë të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, duke u përballur me një rritje ekstreme të çmimeve. Sipas AKB-së, ky vendim është “i…

Lajme

01/06/2025 11:27

Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i cili nga sot ka hyrë në fuqi dhe i detyron rreth 1,300 biznese në Kosovë të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, duke u përballur me një rritje ekstreme të çmimeve.

Sipas AKB-së, ky vendim është “i njëanshëm, i padrejtë dhe pa asnjë analizë të ndikimit ekonomik”.

Në reagimin e publikuar, Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se çmimi i energjisë për shumë biznese është rritur me mbi 250% krahasuar me një vit më parë.

“ZRRE ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë dhe duke shpërfillur realitetin ekonomik të vendit,” thuhet në komunikatën e AKB-së.

AKB paralajmëron se vendimi i ZRRE-së rrezikon qindra vende pune, dëmton konkurrencën në treg dhe nxit rritjen e çmimeve për konsumatorët, duke e quajtur këtë një “goditje direkte ndaj sektorit privat, që është shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës.”

AKB kërkon anulimin e menjëhershëm të vendimit ose së paku shtyrjen për një periudhë njëvjeçare, si dhe fillimin e dialogut të sinqertë me institucionet shtetërore për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

“Protesta nuk është zgjedhja jonë, por është bërë e pashmangshme,” thekson më tej AKB, duke paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nëse kërkesat nuk merren parasysh.

Aleanca e Bizneseve i bën thirrje ZRRE-së për përgjegjësi institucionale dhe deklaron se do të vazhdojë të mbrojë interesat e bizneseve vendore “me të gjitha format demokratike e ligjore”.

“Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësisë! Do ta mbrojmë punën tonë, të ardhmen tonë dhe të drejtën për të zhvilluar një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese,” thuhet në reagimi i AKB-së.