​Bisedimet SHBA-Ukrainë në Gjenevë, Rubio: Takimet produktive, por ka ende shumë punë

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës kanë përfunduar diskutimet sot në Gjenevë mbi planin amerikan për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Pas takimit, kreu amerikan i diplomacisë, Marco Rubio, tha se takimet ishin “më produktivet dhe më domethënëse në këtë proces deri më tani”. Megjithatë, ai vuri në dukje se ka ende punë…

Bota

23/11/2025 19:32

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës kanë përfunduar diskutimet sot në Gjenevë mbi planin amerikan për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Pas takimit, kreu amerikan i diplomacisë, Marco Rubio, tha se takimet ishin “më produktivet dhe më domethënëse në këtë proces deri më tani”. Megjithatë, ai vuri në dukje se ka ende punë për t’u bërë.

“Ne kemi një produkt shumë të mirë pune që është ndërtuar tashmë nga kontributi i të gjitha palëve përkatëse të përfshira këtu, dhe tani kemi qenë në gjendje të shqyrtojmë disa nga këto pika, pikë për pikë. Dhe mendoj se kemi bërë përparim të mirë. Pra, po punojmë për këtë, duke bërë disa ndryshime me shpresën se do t’i ngushtojmë më tej dallimet dhe do t’i afrohemi diçka me të cilën si Ukraina ashtu edhe padyshim SHBA janë shumë të kënaqur”, tha Rubio.

Kreu i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Yermak, tha se takimet e sotme ishin “shumë produktive.”

“Kemi bërë përparim shumë të mirë dhe po shkojmë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Populli ukrainas e meriton dhe e dëshiron këtë paqe më shumë se kushdo tjetër”, theksoi ai.

Ai falënderoi “miqtë e tij të mëdhenj”, SHBA-në dhe Donald Trump, raporton KosovaPress.

Megjithatë, ai vuri në dukje se puna për planin e paqes do të vazhdojë dhe njoftoi se Ukraina do të “angazhojë edhe miqtë e saj evropianë”.

Delegacioni ukrainas udhëhiqet nga shefi i stafit presidencial Andriy Yermak, ndërsa ai amerikan nga sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Dan Driscoll, emisari special i Trump Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump Jared Kushner.

Të premten, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka afat deri të enjten për të miratuar planin me 28 pika, i cili i bën thirrje Ukrainës të heqë dorë nga një pjesë e territorit, të pranojë kufizime në ushtrinë e saj dhe të braktisë ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n.

Kreu i Komisionit Evropian Von der Leyen hodhi poshtë dy pika të rëndësishme të planit të paqes. Ajo tha se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe se madhësia e ushtrisë ukrainase nuk duhet të kufizohet, raporton KosovaPress.

Presidenti ukrainas sot deklaroi se Rusia filloi luftën dhe refuzon ta përfundojë atë. Ai tha se për rusët, kjo nuk është vetëm një luftë për territor, por edhe për “të drejtën e tyre për të bërë luftë” dhe për të “nënshtruar”.

“Kjo është arsyeja pse ne punojmë me kaq kujdes në çdo pikë, çdo hap drejt paqes. Gjithçka duhet të bëhet në mënyrën e duhur, në mënyrë që kjo luftë të përfundojë vërtet dhe të mos ndodhë përsëri”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, evropianët kanë dalë me plan të ri prej 24 pikash, krejtësisht i ndryshëm nga ai i propozuar nga presidenti Trump, sipas mediave britanike.

Rusia nisi një pushtim të shkallës së gjerë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe tashmë lufta ka hyrë në vitin e saj të katërt.