“Bisedimet për Kosovën”, Lajçak e Escobar biseduan me Vuçiqin deri në orë të vona – presidenti serb del me sqarime

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se pjesën e dytë të takimeve me emisarët Gabriel Esobar dhe Miroslav Lajcak, me praninë e Ambasadorit Hill e Kreut të Delegacionit të BE’së në Serbi Emanuele Giaufret, që u zhvilluan të enjten e ka përfunduar, të premten, 15 minuta pas mesnate. Si zakonisht, ai s’ka mundur t’i…

Lajme

26/08/2022 08:09

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se pjesën e dytë të takimeve me emisarët Gabriel Esobar dhe Miroslav Lajcak, me praninë e Ambasadorit Hill e Kreut të Delegacionit të BE’së në Serbi Emanuele Giaufret, që u zhvilluan të enjten e ka përfunduar, të premten, 15 minuta pas mesnate.

Si zakonisht, ai s’ka mundur t’i shmang tonet dramatike, as në postimin në Instagram ku ka shkruar “Lufta po vazhdon e unë po shtirem se nuk jam lodhur”.

Pas rreth dy orë bisedimesh, shefi i shtetit serb ka folur për një kompromis të vogël që mund të arrihet, pa treguar se për çka është fjala. Për targat dhe disa “çështje të mëdha”, siç ka thënë ai, duket se s’do të ketë fare zgjidhje. Vuçiq, ka paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve në ditët e ardhshme.

“Besoj që në ditët e ardhshme që janë para nesh, do të mundemi që për një pjesë të vogël, të arrijmë një zgjidhje kompromisi, pasi është e qartë, se për targat dhe disa cështje më të mëdha, s’do të vijmë fare të nje zgjidhje e tillë”.

Ai ka thënë se fakti që po shpreson s’do të thotë asgjë, pasi sipas tij duhen shumë garanci dhe shumë punë. Tutje, Vuçiq ka shtuar se ditët e ardhshme do të punojnë me zell për ta ruajtur paqen për “popullin tonë” dhe që serbëve t’u sigurohet “mbetja e mëtejme” në Kosovë.

Deri tash nuk dihet se për cfarë kompromisi po flet Vuçiq. Gjatë qëndrimit në Prishtinë Escobar e Lajçak kanë dëgjuar qëndrimet e Kryeministrit Kurti i cili ka thënë se nuk heq dorë nga targat RKS dhe reciprociteti në dokumente që planifikohen të zbatohen nga 1 shtatori.