Bien investimet e huaja në Kosovë
Investimet e huaja direkte në Kosovë, gjatë vitit 2014 kanë shënuar rënie në vlerë prej 127 milionë euro në krahasim me vitin 2013.

Lajme
Arsyeja e rënies së këtyre investime ka qenë shitja e aksioneve të disa prej kompanive të huaja që operojnë në Kosovë.
Këto të dhëna i ka bërë të ditur guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, të Kuvendit të Kosovës.
Hamza tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2014 në përgjithësi ka arritur të mirëmbajë stabilitetin makro-ekonomik duke shënuar normë pozitive të rritjes së stabilitetit fiskal e financiar, si dhe normë të ultë të inflacionit, përderisa raporti me sektorin e jashtëm vazhdon të karakterizohet nga deficiti i lartë tregtarë.
“Sipas vlerësimeve tona ekonomia e vendit në vitin 2014, shënoj normë reale të rritjes prej 2.7 për qind…Deficit tregtarë në mallra shënoj rritje duke arritur në 2.2 miliardë euro nga viti 2014”.
Vlera e mallrave të eksportuara nga Kosova arriti në vlerën 324.6 milionë euro që përkon me një rritje vjetore prej 10.5 për qind, përderisa vlera e mallrave të importuara në vend arriti në 2.5 miliardë euro që paraqet një rritje vjetore prej 3.6 për qind”.
Mbulueshmëria e importeve me eksporte mbetet në nivel 13 për qind që gjë e reflekton nevojën e ristrukturimit të mëtejmë të prodhimit vendor në mënyrë që të ketë një zëvendësim më të madh të importit në rritje të eksportit”, tha Hamza.
Ndërsa, deficiti i lartë tregtarë, sipas tij, vazhdon të jetë kontribuuesi kryesor të deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe kapitale, që në vitin 2014 arriti në 419.8 milionë euro apo 7.7 për qind e produktit të brendshëm. Ai po ashtu ka treguar edhe për arsyet e rënies së investimeve të huaja.
“Në kuadër të llogarisë financiare kategoria kryesore vazhdon të përbëhet nga investimet e huaja direkte të cilat në vitin 2014 shënuan vlerën prej 123.9 milionë euro në krahasim me vlerën prej 250.2 milionë euro në vitin paraprak. Ndikim të rëndësishëm në rënien e investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2014 ka pasur shitja e aksioneve të disa prej kompanive të huaja që operojnë në Kosovë, te rezidentët kosovarë, si dhe shpërndarja e disidentes nga disa kompani të huaja”, tha Hamza.
Anëtarët e komisionit për buxhet dhe Financa shprehen shqetësimet e tyre lidhur me kamata e larta, si dhe për të dhënat mbi bilancin tregtarë.
Kryetari i komisionit për buxhet dhe financa, Naser Osmani, ka thënë vendi vazhdon të ketë bilancë negative e që fal remitancave ka si burim kryesor primar.
“Bilanci tregtarë jashtëzakonisht negativë që vazhdon të mbetet për shkak të ekonomisë së brishtë të Kosovës, e cila ka një import prej 2 miliardë e gjysmë euro me një rritje vjetore prej 3.6 për qind dhe ka një eksport kryesisht të bazuar në eksportin e metaleve prej 324 milionë e 600 mijë euro dhe ky bilanc është jashtëzakonisht negativë. Po fal remitinecës që e kemi nga diaspora megjithatë fal edhe parlamentit fal edhe guvernatorit ne arritëm të paktën të bëjmë një lehtësim për ta me vendimin e fundit që ka marrë guvernatori lidhur me lehtësimin e tarifës kufitare, megjithatë remitencat për neve paraqet gati një burim kryesor primar”, tha Osmani.
Ndërsa, Safete Hadërgjonaj, anëtare e komisionit ka shprehur shqetësimin e saj, për rënien e investimeve publike në masë kaq të madhe.
“Ajo çka më ka bërë përshtypje në këtë raport është kur tek paraqitja e ekonomisë së Kosovës shohim se ka një rënie të investimeve publike prej 22.3 për qind që në fakt kemi pasur një trend të rritjes, kurse tash kemi një trend bukur të madh të zbritjes së këtyre investimeve publike dhe investimeve të huaja direkte prej 46 për qind. Çka do të thotë që janë dy gjëra mjaftë të rëndësishme të cilat kanë refleksione në zhvillimin ekonomik të vendit.”, tha Hadërgjonaj.
Ndërsa, Besa Gaxheri, ka kërkuar të di se a do të mund të ndikoi BQK në uljen e kamatave tek kreditë që bankat komerciale i aplikojnë.