Biden i fal 39 persona dhe ua zbut dënimet 1.500 të tjerëve
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka falur 39 amerikanë të dënuar për vepra të padhunshme penale, si dhe ua ka zbutur dënime gati 1.500 njerëzve të tjerë. Shtëpia e Bardhë tha se ky është numri më i madh i faljeve presidenciale brenda një dite të vetme. Ajo nuk i ka bërë të…
Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka falur 39 amerikanë të dënuar për vepra të padhunshme penale, si dhe ua ka zbutur dënime gati 1.500 njerëzve të tjerë.
Shtëpia e Bardhë tha se ky është numri më i madh i faljeve presidenciale brenda një dite të vetme. Ajo nuk i ka bërë të ditur emrat e njerëzve të falur.
Bideni tha se do të ndërmarrë më shumë hapa të tillë në javët e ardhshme dhe se do të vazhdojë t’i shqyrtojë kërkesat për falje.
“Amerika u ndërtua mbi zotimin për dhënien e mundësisë dhe shansit të dytë”, tha Biden në një komunikatë.
“Si president, kam nderin të tregoj mëshirë për njerëzit të cilët kanë dëshmuar pendesë dhe rehabilitim, duke ua dhënë mundësinë amerikanëve të marrin pjesë në jetën e përditshme dhe të kontribuojnë në komunitetet e tyre, dhe duke ndërmarr hapa për t’ua hequr dënimet të dënuarve për vepra të padhunshme, posaçërisht atyre të dënuar për drogë”, tha ai.
Bideni e mori këtë vendim disa javë pasi e fali djalin e vet, Hunter, i cili po ndiqej penalisht për vepra penale në lidhje me armën dhe taksat.
Bideni është duke u përballur me trysni nga grupet avokuese për të falur më shumë njerëz, përfshirë ata të dënuar me vdekje, para se presidenti i zgjedhur Donald Trump ta marrë detyrën në janar.
Njerëzit e falur të enjten kanë qenë të dënuar për krime të padhunshme, si droga, dhe e kanë ndryshuar jetën për mirë, thanë avokatët e Shtëpisë së Bardhë.
Në të kaluarën, presidenti i kishte falur 21 njerëz dhe ua kishte zbutur dënimin 122 të tjerëve.
Ai fali gjithashtu të dënuar për përdorimin dhe posedimin e marihuanës në tokat federale dhe në Distriktin e Kolumbisë, dhe fali ish-anëtarët e ushtrisë amerikane të dënuar për shkelje të ndalesës, që është shfuqizuar tashmë, të seksit homoseksual në ushtri./REL