Biden bisedon me Netanjahun, Sullivan: Shumë pranë një marrëveshjeje mbi Gazën
Presidenti Joe Biden bisedoi të dielën me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha një burim në dijeni të kësaj çështje, ndërsa zyrtarët amerikanë po përshpjetojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje për lirimin e 98 pengjeve si dhe për armëpushim në Gazë, përpara se zoti Biden të largohet nga detyra, më 20 janar. Në një deklaratë…
Bota
Presidenti Joe Biden bisedoi të dielën me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, tha një burim në dijeni të kësaj çështje, ndërsa zyrtarët amerikanë po përshpjetojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje për lirimin e 98 pengjeve si dhe për armëpushim në Gazë, përpara se zoti Biden të largohet nga detyra, më 20 janar.
Në një deklaratë të zyrës së kryeministrit izraelit thuhej se zoti Netanyahu e informoi zotin Biden mbi progresin në bisedime, si dhe mandatin që i ka dhënë një delegacioni të nivelit të lartë që ndodhet në Doha të Katarit, me qëllim për të avancuar në arritjen e marrëveshjes.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Biden, Jake Sullivan tha për rrjetin televiziv CNN më herët të dielën se palët ishin “shumë, shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje.
Ai tha se zoti Biden po informohej në mënyrë të vazhduar mbi bisedimet në Doha, ku sipas zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë, që nga e enjtja se është bërë njëfarë përparimi në bisedimet indirekte mes Izraelit dhe grupit militant Hamas.
“Ne jemi ende të vendosur të përdorim çdo ditë që kemi në detyrë për arritjen e një marrëveshjeje dhe nuk do ta lëmë mënjanë këtë çështje në asnjë mënyrë”, tha zoti Sullivan.
Ai shtoi se ka ende një shans për të arritur një marrëveshje përpara se zoti Biden të largohet nga detyra, por sipas tij ekzistonte gjithashtu mundësia që “Hamasi, në veçanti, të mos pajtohej me kushtet e marrëveshjes”.
Izraeli filloi sulmin e tij në Gazë pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan shtetin hebre në tetor të vitit 2023, duke vrarë 1200 persona dhe marrë më shumë se 250 të tjerë.
Që atëherë, më shumë se 46,000 njerëz janë vrarë në Gazë, sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë, që kontrollohet nga Hamasi.
Nënpresidenti i zgjedhur JD Vance tha për rrjetin televiziv ‘Fox News” se ai pret që një marrëveshje për lirimin e pengjeve amerikane që ndodhen në Lindjen e Mesme, të shpallet në ditët e fundit të administratës Biden, deri 2 ditë përpara.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump, ka mbështetur fuqishëm objektivin e zoti Netanjahu për të shkatërruar Hamasin. Ai ka premtuar se do të sjellë paqe në Lindjen e Mesme, por nuk ka dhënë detaje se si do ta arrinte këtë qëllim. VOA