Biden bën thirrje për unitet pas atentatit ndaj Trumpit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se atentati ndaj ish-presidentit Donald Trump, është “e kundërta e asaj” që shteti përfaqëson, teksa bëri thirrje për unitet. “Ne duhet të bashkohemi si shtet për të treguar se kush jemi”, tha Biden, duke shtuar se nuk ka asgjë më të rëndësishme se uniteti, pas atentatit ndaj…
Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se atentati ndaj ish-presidentit Donald Trump, është “e kundërta e asaj” që shteti përfaqëson, teksa bëri thirrje për unitet.
“Ne duhet të bashkohemi si shtet për të treguar se kush jemi”, tha Biden, duke shtuar se nuk ka asgjë më të rëndësishme se uniteti, pas atentatit ndaj kandidatit republikan për president.
Gjatë një konference për media nga Shtëpia e Bardhë, pasi u takua me zyrtarët e agjencive të sigurisë, Biden tha se ende nuk dihet motivi i sulmuesit, i cili u vra në vendngjarje nga agjentët e Shërbimit Sekret.
“FBI-ja po udhëheq hetimin. Ende nuk kemi informacion lidhur me motivin e sulmuesit. E dimë se kush është. I bëj thirrje të gjithëve që të mos hamendësojnë për motivet e tij apo për lidhjet e tij. Lëreni FBI-në të bëjë punën”, tha Biden.
Biden përsëriti se në SHBA nuk ka vend për dhunë të këtij lloji, dhe “për asnjë lloj dhune”. Ai tha se pas atentatit ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me Trumpin.
Gjatë adresimit, Biden tha se ai ka udhëzuar që të kryhet një hetim i pavarur dhe i hollësishëm për të kuptuar se si ndodhi sulmi në Pensilvani, teksa paralajmëroi se do t’i adresohet sërish publikut nga Zyra Ovale.
Kandidati i pritur republikan për president të SHBA-së, Trump, është jashtë rrezikut për jetë pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën teksa ai fliste në një tubim në Pensivlani më 13 korrik.
Trump tha se u qëllua me një plumb që i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.
Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) ka identifikuar Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park i Pensilvanisë si subjektin e përfshirë në atentatin kundër ish-presidentit amerikan, Doanld Trump.
Agjentët e kanë vrarë sulmuesin në vendngjarje, bëri të ditur Shërbimi Sekret amerikan.
Shërbimi Sekret amerikan tha se një person, që ishte në audiencë, është vrarë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë. REL