Betohen vullnetarët amerikanë, dy vjet punë falas për Kosovën
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë të mërkurën se qytetarët e Kosovës janë të kënaqur me miqësinë që kanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajme
Gjatë fjalimit të saj në ceremoninë e dhënies së betimit të 140 vullnetarëve amerikanë të Korpusit të Paqes, duke i falënderuar për vendimin që këtë program ta sjellin edhe në Kosovë.
Jahjaga ka siguruar vullnetarët e Korpusit të Paqes se do të gjejnë ngrohtësinë në familjet kosovare duke u shprehur se me vullnetin e tyre do të ndihmojnë që Kosova të bëhet shtet i mundësive të mëdha.
“Unë e di sepse ju këtu në Kosovë jeni pritur me zemër të hapur dhe tashmë besoj që familjet kosovare, familjet tuaja ku ju do të qëndroni në Kosovë, ju kanë bindur se shteti ynë, populli ynë dhe qytetarët tanë dhe vendi ku ju do të jeni, ka një traditë të gjatë të mikpritjes. Veçanërisht janë krenar për partneritetin dhe miqësinë e përjetshme të popullit të Kosovës, shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha presidentja.
“Gjatë punës tuaj në Kosovë, jam e bindur se ju do të përjetoni momente të veçanta. E di që ju do të përjetoni edhe momente gëzimi, por do të përjetoni edhe momente pikëllimi. Do të ndani të mirën dhe të keqen me qytetarët e Republikës së Kosovës”.
“E di që shpesh në netët e vona, kur do të uleni këmbëkryq, në odat tona, në shtëpitë e familjeve tuaja të reja, do të qani me dy milion rrëfimet dhe përjetimet e veçanta të luftës që është ende e freskët, me mendjet dhe shpirtrat e shumë qytetarëve të Kosovës. Por, çdo mëngjes, kur ju të niseni për në vendin tuaj të ri të punës, do të mahniteni me vullnetin, përkushtimin dhe kurajën e shumë vajzave dhe djemve të Kosovës, që gjithsecili qytetar i Kosovës ka, që të jetë pjesë përbërëse dhe pjesë e procesit të ndërtimit të shtetit të tij të ri, të shtetit të Kosovës”.
“Dhe është pikërisht ky optimizëm dhe kjo energji që e bëjnë Kosovën një vend të paharrueshëm, një përvojë të papërsëritshme për ju”.
“Dua ta them se si institucione të Kosovës ne jemi krenarë me të arriturat tona, por nuk mjaftohemi me to. Ne duam që Kosovën ta shndërrojmë në një vend të mundësive të mëdha dhe të mundësive të barabarta për të gjithë. Presim nga ju që me shembullin tuaj të vullnetarizmit të kontribuoni në realizimin e këtij vizioni tonë të përbashkët”, tha ndër të tjera presidentja Jahjaga.
Para se të shkojnë në pikat e tyre të shërbimit vullnetarët, vullnetarët janë aftësuar për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore, dhe teknike.
Vullnetarët inkurajohen poashtu që të marrin pjesë në projektet e komunitetit dhe shkollave të cilat ofrojnë mundësi për të shkëmbyer përvojat, transferuar shkathtësitë dhe dijen, dhe për të ndërtuar mirëkuptim më të madh mes vullnetarëve dhe komuniteteve nikoqire.
Korpusin e Paqes e ka themeluar Presidenti John F. Kennedy, me anë të një urdhri ekzekutiv me 11 mars 1961, dhe prej atëherë më shumë se 215,000 amerikanë kanë shërbyer në 140 shtete nikoqire.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes duhet të jenë shtetas të SHBA-ve dhe mbi 18 vjeç.
Shërbimi në Korpusin e Paqes është një angazhim 27-mujor dhe misioni i agjencisë është që të promovojë paqen dhe miqësinë botërore dhe të kuptuarit më të mirë mes amerikanëve dhe popujve të shteteve tjera.