Betimi vetëm ashtu siç parasheh Ligji

Slobodan Petrovic thotë kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës do ta bëjnë betimin me Ligje të Kosovës. Në rastin e Lushtakut, sipas tij, do të veprohet sipas Ligjit për Qeverisje Lokale.

Lajme

09/12/2013 14:10

Kryetarët e sapozgjedhur në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, betimin do ta bëjnë sipas Ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Kështu ka thënë, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petorvic, i cili ka folur edhe për rastin e Kryetarit të sapozgjedhur të Skenderajt, Sami Lushtaku që gjendet në paraburgim nën akuzat për krime lufte.

Petrovic ka thënë se në rastin e Lushtakut do të veprohet sipas Ligjit për Qeverisje Lokale, transmeton Kosovapress.

Zëvendëskryeministri Petrovic ka thënë se deri më tani kjo ka qenë forma e vetme e betimit.

“Do të punojmë sipas Ligjit për Qeverisje Lokale. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë formë tjetër përveç asaj që betimi të bëhet para asamblistëve”.

“Ministria e Pushtetit Lokal do ta respektojë ligjin. Ne sigurisht që jemi edhe për atë që të respektojmë përzgjedhjen që kanë bërë qytetarët, mirëpo Ministria duhet të respektojë atë që thuhet Ligji dhe Kushtetutë”.