Beteja për ta mundur të keqen
Ramush Haradinaj thotë se askush nuk po garon në Prishtinë për ta mundur Isa Mustafën, por njerëzit po punojnë për të qeverisur mirë, për ta mundur bërllokun e kaosin në Kryeqytet.
Lajme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të enjten, ka nënshkruar simbolikisht kontratë me banorët e Lagjes Bregu i Diellit në Prishtinë, me të cilën ka garantuar se ajo do ta qeverisë mirë Kryeqytetin.
Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur një deklarate të mëhershme të Isa Mustafës, i cili pat thënë se në Prishtinë i mundë të gjithë.
“Më ka bërë përshtypje një deklaratë e Kryetarit Mustafa, i cili deklaron se i mund liderët e partive politike.”
“Në fakt, askush s’po garon për ta mundur Isën, por njerëzit po punojnë që ta krijojnë një qeverisje më të mirë, për ta mundur bërllokun në Prishtinë, për ta fituar betejën me kaosin në komunikacion, për ta fituar betejën e mungesës së parkingjeve, me mirëmbajtën e rrokaqiejve ku jetojnë njerëzit.”
Kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, ka thënë se përgjatë kësaj jave e ka prezantuar secilin sektor me kontratë veç e veç. Ai ka thënë se ka folur për mirëqenien sociale, për sektorin e bujqësisë, për ekonominë, e kështu do të vazhdojë deri më 3 nëntor.
“Sot të gjithë banorëve të Bregut të Diellit u ofrohemi me kontratën që janë njerëzit.”
“Pika e parë që ka buruar nga bashkëbisedimi me banorët e Bregut të Diellit është uji. Është e papranueshme që një Kryeqendër, që një lagje si Bregu i Diellit, tash e 13 vjet të ketë problem me ujë.”
“Deri në shpalljen e pavarësisë, fajet i ka pasur UNMIK’u, pas shpalljes së pavarësisë tash i paska fajet Qeveria Qendrore. Unë ju them që nuk duhet të rrijë Kryetari i Komunës, as i tanishmi e as i ardhshmi, duarkryq, e të mos ketë një ofertë për ujin. Andaj ne u vijmë banorëve të kësaj lagje me një ofertë konkrete”.
Besnik Tahiri ka premtuar se për zgjidhjen e këtij problemi AAK ka në plan ndërtimin e një rezervari të ujit prej 150 mijë litra.
Po ashtu, ai ka premtuar se do ta rregullojë edhe problemin me ngrohje.