Besian Mustafa përkujton babain e tij: Tash e 25 vjet ka një boshllëk që nuk mbushet
Sot shënohen 25 vjet nga vdekja e Xhemail Mustafës, ndërkaq Besian Mustafa ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar momentet e fundit dhe mësimet që ka marrë prej babit të tij. “Ka një boshllëk që s’ka ditë, vit apo sukses që e mbush. Është boshllëku i zërit tënd, i duarve të tua,…
Lajme
Sot shënohen 25 vjet nga vdekja e Xhemail Mustafës, ndërkaq Besian Mustafa ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar momentet e fundit dhe mësimet që ka marrë prej babit të tij.
“Ka një boshllëk që s’ka ditë, vit apo sukses që e mbush. Është boshllëku i zërit tënd, i duarve të tua, i mënyrës si më shikoje kur si tinejxher flisja me pasion për diçka… më nxisje të mendoj e flas”, ka shkruar Mustafa.
Ai kujton edhe periudhën e vështirë gjatë luftës së vitit 1999.
“Qëndruam në Prishtinë, nën zhurmat e sirenave dhe shpërthimeve, ndërsa në dhomë mbretëronte ajo qetësia jote e çuditshme, që vetëm ti e kishe. Qetësi që si fëmijë ma jepte ndjenjën se gjithçka do të ishte mirë, edhe kur bota jashtë dukej sikur po shkatërrohej”, ka theksuar më tej Besian Mustafa.
Mustafa thekson se mësimet më të mëdha që ka marrë nga babai i tij lidhen me dashurinë për familjen, njerëzit dhe vendin.
“Më mungon gjithçka. Sot nuk dua të flas për urrejtje, padrejtësi apo politikë. Sot dua vetëm të të kujtoj ty, njeriun e thjeshtë, të mençur, të përkushtuar, që më mësoi se liria dhe e mira jetojnë te njerëzit e butë, te ata që nuk dorëzohen”
Ai përfundon mesazhin e tij me një reflektim personal dhe shpresë.
“Babë, u bënë 25 vjet pa ty… Por çdo ditë jetoj me atë që më dhe në ato pak vite që patëm bashkë. Do të shihemi përsëri”, ka shkruar Mustafa.