Bernd Borchardt arsyeton Tribunalin për UÇK’në
Shefi i EULEX’it thotë se ka pretendime për akuza të rënda të cilat, sipas tij, Tribunali duhet t’i hetojë, ndërsa Ministri Hajredin Kuçi shprehet se Kosova ka kapacitetet e veta të drejtësisë dhe nuk sheh nevojë për ngritjen e një Tribunali jashtë Kosovës.
Lajme
Shefi i EULEX’it, Bernd Borchardt, ka arsyetuar iniciativën për hapjen e një Tribunali për hetimet e dyshimeve për krimet e kryera nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës duke thënë se ka pretendime për akuza të rënda për të cilat, sipas tij, duhet të gjendet e vërteta.
“Po është e vërtetë se ka pretendime për akuza të ashpra dhe nëse ka fajtorë për këto pretendime, atëherë duhet të gjinden kush i ka bërë këto dhe natyrisht duhet të dënohen. Sepse, këto janë shumë të këqija për Kosovën dhe si të tilla duhet të pastrohen”, ka theksuar Borchardt sot në Gjakovë.
Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përsëriti qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se i ka ndërtuar kapacitetet e veta të drejtësisë prandaj këto pretendimi nuk ka nevojë të trajtohen në një Tribunal jashtë Kosovës, raporton RTK.