Berisha shpalos detaje nga programi i PD: Ulje taksash dhe nxitje e prodhimit vendas
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar detaje të reja nga programi i PD, duke theksuar uljen e taksave, nxitjen e prodhimit vendas dhe lehtësira për bizneset. “Do të ulim barrën fiskale për bizneset dhe do të krijojmë kushte më të mira për prodhimin vendas”, deklaroi Berisha. Berisha njoftoi masa konkrete për industrinë e…

Lajme
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar detaje të reja nga programi i PD, duke theksuar uljen e taksave, nxitjen e prodhimit vendas dhe lehtësira për bizneset.
“Do të ulim barrën fiskale për bizneset dhe do të krijojmë kushte më të mira për prodhimin vendas”, deklaroi Berisha.
Berisha njoftoi masa konkrete për industrinë e birrës dhe verës. “Akciza për birrën do ndahet në dy fasha: 600 lekë për prodhuesit mbi 200 mijë hektolitra në vit dhe 300 lekë për prodhuesit më të vegjël, duke respektuar standardet e BE-së”, tha ai.
Sipas tij, çmimi i pullave fiskale do të pësojë ulje drastike: “Nga 17 euro për 1 mijë pulla në 3 euro për birrën dhe nga 25 euro në 3 euro për verën.”
Në fushën e bujqësisë, ai premtoi mbështetje për kulturat strategjike. “Bimët medicinale, ulliri, arrorët dhe bimët aromatike do të kenë lehtësira të mëdha financiare dhe logjistike”, u shpreh ai.
Lideri i opozitës deklaroi ndryshime të rëndësishme në sistemin fiskal. “Taksa e sheshtë do të jetë 10% mbi kapitalin dhe të ardhurat jo nga paga. Përjashtohen nga taksimi biznesi i vogël dhe profesionet e lira”, theksoi ai.
Ndërsa për TVSH-në, ai konfirmoi: “Kufiri për përjashtimin nga TVSH do të jetë 18 milionë lekë xhiro vjetore, ndërsa norma e TVSH-së do të zbresë në 15%.”
Një tjetër angazhim ishte ulja e taksave në sektorin e ndërtimit. “Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të ulet nga 18% e çmimit të shitjes në 2% të preventivit” tha Berisha.
Po ashtu, ai njoftoi shfuqizimin e disa tarifave. “Taksa 3% e strehimit social mbi çmimin e shitjes do të hiqet, ashtu si edhe tarifa 1% e lejes së zhvillimit mbi vlerën e investimit.”
Për të inkurajuar investimet, ai premtoi: “Çdo shqiptar që vjen për të investuar në Shqipëri do të jetë 5 vite pa taksa dhe 8 vite nëse investon në zonat malore.”
Në sektorin e energjisë dhe karburanteve, Berisha theksoi: “Taksa Rama e karburantit do të hiqet plotësisht.”
Ndërkohë, ai shtoi se çmimi i karburantit do të ketë një kufizim për të mbrojtur konsumatorët. “Nuk do të lejojmë ndryshime çmimesh më shumë se ±10% krahasuar me vendet fqinje,” tha ai.
Sipas tij, këto masa do të ndihmojnë në ringritjen e ekonomisë. “Ne synojmë të fuqizojmë biznesin vendas dhe t’i japim fund politikave shkatërruese që rëndojnë qytetarët”, përfundoi ai.