Berisha për ata që ia hakuan llogarinë në Facebook: Shteti e zë lepurin me qerre

Zëvendësministri i Brendshëm, Zafir Berisha, nga sot mbi supe do të bartë edhe dy pozita të tjera; atë të Koordinatorit Nacional për Sigurinë Kibernetike dhe të Koordinatorit për Menaxhim të Emergjencave.

Lajme

21/09/2020 23:58

Berisha ka thënë se nuk është aksidentalisht aty për ushtruar këto funksione.

“Kam qenë në dy mandate si deputet në Komisionin për Siguri. Për ata që nuk e kanë ditur dhe që janë kureshtarë pse Zafa në MBP dhe koordinator për këta dy sektorë: Një jetë të tërë jam marrë më çështjen e sigurisë, sidomos pas luftës. Nëse jam emëruar koordinator nuk jam emëruar si ekspert por si i emëruar i Ministrisë, i ministrit”, ka thënë Berisha..

“Po flasim për çështjen më të ndjeshme nga e cila është e rrezikuar çdo familje, mos të flasim për institucionet”.

Berishës së cilit pa ardhur në studiot e Klan Kosovës i është hakuar llogaria e tij në Facebook, ka thënë se përgjegjësit për këtë do të dalin para ligjit.

“Jam viktima e radhës nga njerëzit e përgjegjshëm në fushën e internetit. Do të angazhohemi për avancimin e strategjisë kundër sulmeve kibernetike që vinë në Kosovë si në të gjithë botën. Me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë edhe Kosova ka nevoje të avancojë në këtë fushë, ku shpresoj që jap kontribut”.

“Nuk po mërzitem, le ta mbajë Facebook-un tim, le të lozin, le të kënaqen. Shteti lepurin e zë me qerre. Ata që po luajnë me Facebook tim dhe shumë qytetarëve do të përgjigjen para shtetit. Policia është institucion shumë i besueshëm. Kosova është model në rajon sa i përket fushës së sigurisë”.