Beogradi përmes BIA-s kërkon emrat e policëve që arrestuan zyrtarin serb për fyerje ndaj UÇK-së

“Arrestimi i zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq nga Policia e Kosovës dhe urdhri i paraburgimit prej një muaji është një poshtërim për regjimin e Vuçiqit dhe për faktin se Serbia nuk është më një shtet”, thotë politologu Ognjen Gogiq. Popoviqi u arrestua të premten në mbrëmje në Bërnjak, pasi më…

Lajme

21/07/2025 19:37

“Arrestimi i zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq nga Policia e Kosovës dhe urdhri i paraburgimit prej një muaji është një poshtërim për regjimin e Vuçiqit dhe për faktin se Serbia nuk është më një shtet”, thotë politologu Ognjen Gogiq.

Popoviqi u arrestua të premten në mbrëmje në Bërnjak, pasi më parë iu drejtua të pranishmëve në takim për të përkujtuar serbët nga Rahoveci. Popoviqi i quajti pjesëtarët e UÇK-së terroristë, për këtë arsye u ndalua, pastaj u dërgua në njësinë e paraburgimit në Gjilan dhe iu urdhërua paraburgimi 30-ditor.

Të hënën, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i dërgoi kërkesa zyrtare Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), me qëllim identifikimin e personave të cilët më 18 korrik, duke u paraqitur si anëtarë të policisë së Kosovës, arrestuan dhe sollën në Prishtinë Igor Popoviq, zëvendësdrejtorin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në Pink TV të dielën se arrestimi i Popoviq tregon se Alibin Kurti, kryeministri në detyrë i Kosovës, është çmendur dhe se dëshiron konflikte, dhe se Beogradi do të luftojë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por gjithashtu do të reagojë në një mënyrë shumë “të ashpër dhe të fortë”.

Kurti deklaroi se sundimi i ligjit është themeli i Kosovës dhe se kushdo që shkel ligjin dhe rendin do të ndalohet.

“Rasti i Igor Popoviqit nuk është përjashtim”, vuri në dukje ai.

“Kërkesa e Prokurorisë së Beogradit nuk është naive për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sepse Serbia mund të lëshojë një urdhër arresti për ta, i cili mund të mbetet vetëm një urdhër arresti në territorin e Serbisë, por ekziston edhe mundësia që të bëhet një urdhër arresti ndërkombëtar”, thekson politologu Ognjen Gogiq.

“Nëse krijohen kushtet dhe bëhet një urdhër arresti ndërkombëtar, kjo rrit çmimin për Kosovën që të ndërmarrë gjëra të tilla në të ardhmen, atëherë Kosova do të jetë më pak e gatshme ta bëjë këtë. Gjëja tjetër është se, nuk e di nëse do të shkojë aq larg, sikur Serbia të tërheqë njohjen e juridiksionit të Kosovës. Me marrëveshjen e Brukselit, Serbia de facto njohu policinë dhe gjyqësorin e Kosovës. Kjo do të thotë që Serbia mund të mos i njohë autoritetet gjyqësore dhe policinë sepse thonë “persona që paraqiten si policë të Kosovës”, domethënë, janë individë privatë që paraqiten si të tillë”, thotë ai.

Gogiq shton se kjo mund të nënkuptojë tërheqjen e plotë të Marrëveshjes së Brukselit.

Sipas tij, varet se sa larg do të shkojë Beogradi me këtë, dhe se kjo është një lojë e rrezikshme dhe se do të ishte një veprim i rrezikshëm.