Bëhuni bashkë për luftën e UÇK’së

Muharrem Xhemajli ka shprehur optimizëm se deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do ta aprovojnë në lexim të parë Projektligjin për Veteranët e UÇK’së. Ai u ka bërë thirrje deputetëve të të gjitha partive të jenë unikë sa i përket këtij Projektligji.

Lajme

13/03/2014 08:33

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Xhemajli, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, t’i lënë anash dallimet partiake dhe ta votojnë sot Projektligjin për Veteranët e UÇK’së.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se ky Projektligj është i domosdoshëm sepse mundëson trajtim të dinjitetshëm për veteranët e UÇK’së.

“Presim që ky Projektligj sot të kalojë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, njëherësh u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të jenë unikë sa i përket këtij projektligji dhe mos të ketë debate të panevojshme sepse ky Projektligj është i domosdoshëm për ish-ushtarët e UÇK’së, veteranët e luftës, të cilët me të vërtetë janë në një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale”.

“Veteranët e luftës çdo ditë ballafaqohen me shumë probleme shëndetësore. Nuk është një Projektligj i cili mundëson trajtim të dinjitetshëm për veteranët e UÇK’së.

Gjithashtu, Xhemajli në “Epoka e re” ka thënë se institucionet dhe qytetarët e Kosovës asnjëherë s’mund t’i dalin hakut kontributit dhe sakrificës që kanë dhënë veteranët e luftës së UÇK’së.