“Bëhu praktik, Paguaj me Kartë” lansohet kampanja nga Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Mastercard

Shoqata e Bankave të Kosovës në bashkëpunim me Mastercard lansojnë kampanjën informuese për përdorimin e kartave bankare “Bëhu praktik, Paguaj me Kartë”.

Lajme

14/06/2021 10:04

Tregu i pagesave në Kosovë është duke u zhvilluar tutje, dhe shërbimet dhe produktet bankare janë në hap të dixhitalizimit. Edhe bankat komerciale në Kosovë i bashkërenditen standardeve të reja në sofistikimin e produkteve. Këtu mund ti listojmë edhe pagesat që kryhen me kartë bankare, ku, kartat bankare mundësojnë kryerje të shërbimeve / pagesave pa humbur kohë, në mënyra shumë të sigurta dhe pa ndonjë kosto shtesë.

Qytetarët dëshirojnë të kenë mënyra të ndryshme të të paguarit andaj, me anë të kësaj kampanje, qytetarët mund të informohen rreth përfitimeve të shumta që i ofron pagesa me kartë bankare pa kontakt. Disa nga përfitimet e shumta të pagesave pa kontakt janë:

· Siguri dhe efikasitet në pagesat tuaja duke mundësuar pagesën edhe për transaksionet për shuma të vogla dhe të përditshme.

· Ju kurseni kohë dhe nuk do keni nevojë që çdo herë të bëni tërheqje të parasë KESH në bankomat, të prisni në radhë në sportele të bankave apo të mbani KESH me vete, gjithashtu me kartë bankare mund të bëni blerje dhe pagesa online.

· Pagesat me kartë bankare mund të bëhen në të gjitha pajisjet POS të bankave të Kosovës, pa provizion dhe pa dallim në shumën që e paguani, pra provizioni për pagesë me kartë është ZERO.

· Pagesat me kartë bankare regjistrohen në raportin tuaj bankar duke mundësuar menaxhimin më të mirë të shpenzimeve dhe financave personale.

· Pagesat me kartë bankare ndihmojnë në luftimin e ekonomisë jo-formale dhe shpërndarjen e parasë së falsifikuar.

Kampanja do të zhvillohet gjatë muajve qershor – gusht 2021 dhe pritet të ketë ndikim pozitiv në informimin e qytetarëve dhe shoqërinë kosovare, për avancimin e tregut të pagesave./Lajmi.net/