Behrami “godet” VV-në: Fushatat politike me arkivole dhe me të vdekurit, nuk janë vlera të shqiptarëve – Kjo është doktrinë serbe
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, në një reagim të fuqishëm politik, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mbajtjen artificiale të krizës politike në Kosovë, me qëllim të shmangies së normalitetit – të cilin ai e cilëson si “armikun më të madh të tyre”. Në një tekst që ai e ka quajtur “pjesë nga fjalimi i papërfunduar…

Lajme
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, në një reagim të fuqishëm politik, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për mbajtjen artificiale të krizës politike në Kosovë, me qëllim të shmangies së normalitetit – të cilin ai e cilëson si “armikun më të madh të tyre”.
Në një tekst që ai e ka quajtur “pjesë nga fjalimi i papërfunduar në Kuvend”, Behrami shkruan se VV refuzon dialogun dhe kompromisin, duke ndërtuar një realitet të rremë përmes konfliktit të përhershëm dhe polarizimit politik, transmeton lajmi.net
Ai kritikon ashpër qasjen e Albin Kurtit në raport me Perëndimin dhe e krahason atë me Aleksandër Vuçiqin, duke thënë se përpjekja e Kurtit për të qenë “ndryshe nga Thaçi” e ka afruar më shumë me doktrinën politike serbe. “Keqësimi i marrëdhënieve me SHBA-në, sanksionet nga BE, fushatat me viktimizim dhe pseudo-nacionalizmi – janë tipare që nuk i përkasin kulturës politike shqiptare, por doktrinës serbe,” ka shkruar Behrami.
Sipas tij, Kosova ka nevojë urgjente për rikthimin e vlerave perëndimore dhe të lidershipit shtetformues, që udhëheq me vizion, jo me frikë. Ai thekson se në një kohë kur qytetarët janë dëshmitarë të shpresës që e përçojnë liderë si Hashim Thaçi, Albin Kurti përçon vetëm frikë dhe zymtësi.
Në përmbyllje, Behrami bën thirrje për forcimin e institucioneve kushtetuese që do të mbrojnë rendin demokratik nga, siç thotë ai, “grupe që nuk e pranojnë rendin kushtetues”. Ai apelon që Gjykata Kushtetuese të japë vendime të qarta dhe të pakontestueshme, për të mos lejuar, sipas tij, “keqpërdorimin politik të hiles dhe manipulimit”.
Opinioni i plotë:
Shkruan: Artan Behrami
Kriza politike në Kosovë është mbajtur artificialisht në jetë nga Lëvizja Vetëvendosje, për të mbuluar normalitetin – armikun më të madh të tyre. Një parti që refuzon dialogun, depolarizimin, marrëveshjen dhe kompromisin.
Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë për dialog të brendshëm, për të shëruar urrejtjen, përçarjen dhe, mbi të gjitha, rrezikun që ajo të shndërrohet në një shtet të dështuar.
Kjo vlerë shqiptare dhe perëndimore u përmbys në ditën kur Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet – në ditën kur dialogu dhe kompromisi u shndërruan në sinonime të tradhtisë kombëtare.
Albin Kurti, duke u përpjekur të jetë ndryshe nga Hashim Thaçi, ka filluar t’i ngjajë Aleksandër Vuçiqit. Antipodi i kësaj figure historike të Kosovës mund të jetë vetëm dikush që përfaqëson doktrinën politike serbe. Dhe, fatkeqësisht, Kosova në pesë vitet e fundit është udhëhequr nga një mendësi e tillë.
Keqësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës; sanksionet e Bashkimit Evropian; marrëdhëniet e lënduara me Perëndimin; fushatat politike me arkivole dhe me të vdekurit; politika pseudo-nacionaliste si opium për uljen e ndjeshmërisë ndaj dështimeve të brendshme; izolimi rajonal dhe ai ndërkombëtar; pranimi i marrëveshjeve në tavolinat diplomatike dhe shkatërrimi i tyre në terren; viktimizimi, përhapja e gënjeshtrave, krijimi i realiteteve paralele, festimi i humbjeve – të gjitha këto nuk janë vlera të shqiptarëve që burojnë nga kultura jonë politike.
Kjo është doktrinë serbe!
Kosova ka nevojë për rikthimin e vlerave të fituesit, për rikthimin e doktrinës politike perëndimore, të bashkëpunimit dhe të dialogut mes vete. Ka nevojë për rikthimin e orientimit perëndimor që e çliroi, e bëri të pavarur dhe të barabartë me shtetet e tjera.
Nevoja është për burrështetas që udhëheqin me parimet e fituesit, jo të humbësit. Me vendosmëri, jo me viktimizim. Me frymë bashkëpunimi, jo revanshi. Me vizion të përbashkët, jo me urrejtje.
Kosova ka nevojë për burrështetas që privohen nga egot e tyre për t’i hapur rrugë përparimit të përjetshëm të shtetit. Burrështetas që edhe në situata më të rënda të jetës së tyre arrijnë të zgjojnë shpresë dhe të frymëzojnë.
Netë më parë, qytetarët e Kosovës ishin dëshmitarë që burrështetas si Hashim Thaçi dinë të japin shpresë dhe të frymëzojnë edhe kur janë fizikisht të burgosur.
Ndërkohë, ata u bënë dëshmitarë se populisti, demagogu Albin Kurti, i burgosur në botëkuptime primitive dhe kamikaze, po përhap frikë, zymtësi dhe stagnim.
Ky është dallimi ndërmjet një burrështetasi dhe një shkatërruesi të institucioneve. Por, sfida e vërtetë është të parandalohet që Kosova të shndërrohet në shtet të dështuar.
Republika e Kosovës, si kurrë më parë, ka nevojë për krijimin e një institucioni që mbron Kushtetutën nga grupe që nuk e pranojnë rendin kushtetues – por edhe nga individë që shkelin vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Një institucion që ka mandat të monitorojë si partitë politike, ashtu edhe individët ose grupet radikale që nuk e njohin ose e sfidojnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Dikur, Kushtetuta, institucionet dhe shteti i Kosovës mbroheshin nga armiqtë e jashtëm. Sot, këto janë të rrezikuara nga një parti që nuk e ka ndërruar agjendën kundër shtetit të Kosovës, edhe pas ardhjes në pushtet.
Kosova sot është e detyruar të mbrohet nga një njeri që ky shtet i ka dhënë gjithçka, ndërsa ai nuk i ka dhënë Kosovës asgjë.
Dhe kjo mund të ndodhë vetëm përmes institucioneve të Kosovës. Jo me dhunë politike. Jo me kauza të rrejshme. Jo me politika kamikaze.
Besimi është tek institucionet që janë ndërtuar me shumë sakrificë. Prandaj, është me rëndësi që aktgjykimet e ardhshme të Gjykatës Kushtetuese të jenë më të qarta, më të drejtpërdrejta, duke mos lënë mundësi për keqinterpretime nga ata që përdorin hilen si strategji politike.
Pjesë nga fjalimi në Kuvendin e Kosovës që në mungesë të kohës nuk u lexua!/lajmi.net/