Behrami akuza të forta VV-së e Kurtit: Po kërkojnë burgim të përjetshëm për ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me deklaratat e fundit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Behrami ka thënë se qëllimi përfundimtar i VV-së është dënimi me burgim të përjetshëm…

Lajme
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti lidhur me deklaratat e fundit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Behrami ka thënë se qëllimi përfundimtar i VV-së është dënimi me burgim të përjetshëm i ish-krerëve të UÇK-së.
“Po e shoh që VV-ja është e pakënaqur me kushtet e paraburgimit të krerëve të UÇK-së. Ata po kërkojnë izolimin total, deri në jetësimin e dëshirës së tyre përfundimtare, që është dënimi me burgim të përjetshëm!”, ka shkruar ai.
Behrami ka shkuar më tej duke thënë se dezinformatat e Kurtit dhe Vetëvendosjes përkojnë me narrativat e Prokurorisë së Gjykatës Speciale.
“Dezinformatat e Albinit dhe VV-së vijnë në një kohë kur Prokuroria e Gjykatës Speciale është në kërkim të shfrytëzimit të deklaratave të reja për t’i përdorur kundër krerëve të UÇK-së, njëjtë siç ka vepruar tash e pesë vitet e fundit. Gënjeshtrat e Kurtit dhe VV-së janë identike me ato të Prokurorisë së Gjykatës Speciale. Shqetësimet e Kurtit janë të njëjta me qëllimet politike të kësaj gjykate!”, ka shkruar deputeti i PDK-së.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Behrami ka theksuar se “epoka e errët” e Kurtit po përfundon.
“Por, Kurti e ka një zor të madh. E kuptoj! Nuk e ka lehtë! Epoka e errët e tij po perëndon, sepse dielli po lind përsëri!”, ka përfunduar ai.
Ky reagim i Behramit vjen në kohën kur çështja e të paraburgosurve në Hagë ka qenë temë diskutimi e shpeshtë, si në diskursin politik, ashtu edhe në publik./lajmi.net/