Begaj: Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është thelbësor për stabilitetin e të gjithë rajonit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është thelbësor për stabilitetin e të gjithë rajonit. Begaj në konferencën e 27-të të shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut të mërkurën, tha se Kosova, ndonëse shtet i ri, ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe bashkëpunimit,…
Lajme
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është thelbësor për stabilitetin e të gjithë rajonit.
Begaj në konferencën e 27-të të shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut të mërkurën, tha se Kosova, ndonëse shtet i ri, ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe bashkëpunimit, andaj përbën një faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Begaj u shpreh se Kosova e ka dëshmuar përkushtimin ndaj paqes dhe është faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
“Në bashkëpunim me aleatët tanë, kemi punuar vazhdimisht për të forcuar sigurinë në rajon dhe për të promovuar integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Në këtë rrugëtim është me rëndësi të përfshihen edhe anëtarë të rinj që dëshirojnë të anëtarësohen në Iniciativën SHBA – Karta e Adriatikut dhe në NATO. Anëtarësimi i Kosovës në këtë Kartë është thelbësor, jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Kosova, ndonëse është shtet i ri, ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe bashkëpunimit, dhe përbën një faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Iniciativa ShBA-Karta e Adriatikut ka treguar ndër-vite se është një instrument i fuqishëm dhe efektiv për promovimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit midis vendeve tona dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Karta e Adriatikut është shoqatë e formuar nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara në vitin 2003 me qëllim të ndihmës në përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO. Në këtë shoqatë në vitin 2008 u bashkuan edhe Bosnjë-Hercegovina e Mali i Zi.