Befasia në Mitrovicë, skandal elektoral

Kryeministri Thaçi flet për befasi në zgjedhjet e fundit. Por, disa befasi për të ishin më shumë skandale elektorale, si në rastin e Mitrovicës. Ai thotë se në disa komuna ndryshimet i japin kuptim të shëndetshëm skenës politike.

Lajme

09/12/2013 17:36

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ndjehet mirë dhe krenar me organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, e demokratike në tërë territorin e Kosovës, si dhe me përkushtimin dhe përgjegjësinë që ka treguar spektri politik për të marrë përgjegjësi të përbashkëta në këtë proces të rëndësishëm demokratik.

Duke folur në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka shprehur kënaqësinë që Kosova ka kaluar një test të rëndësishëm europian për të ardhmen euro-atlantike.

“Sa i takon rezultatit zgjedhor, si Kryetar i PDK’së, ndjehem shumë mirë që PDK, përsëri është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional”.

“Natyrisht, jemi dëshmitarë të disa befasive sa i përket rezultatit, por për mua si Kryeministër i Kosovës më me rëndësi ka qenë standardi zgjedhor sesa rezultati”.

“Por, mund të them se edhe disa befasi që kanë ndodhur, diku kanë qenë, mund të them lirisht, skandale elektorale zgjedhore, si në rastin e Mitrovicës. Por, mund të them se në disa komuna kanë ndodhur disa ndryshime që i japin kuptim më të shëndetshëm skenës politike kosovare”.

“Sa i përket përgjegjësive të PDK’së, ne kemi diskutuar dhe natyrisht që do të duhej evituar disa dobësi dhe lëshime që kanë ndodhur në komuna të ndryshme të Kosovës. Por, sot selitë e të gjitha të partive politike në të njëjtën kohë edhe janë të kënaqura, por edhe janë të dëshpëruara me rezultatin zgjedhor”.

“Si kryetar i PDK’së, ju them se PDK pas pesë palë zgjedhjesh, është rikonfirmuar si partia numër një në nivel nacional, si partia fituese edhe zgjedhjeve lokale 2013 dhe me hap të sigurt për t’u rikonfirmuar përsëri partia fituese edhe e zgjedhjeve nacionale 2014”.

Kryeministri ka folur edhe për takimin që kanë pasur sot liderët kryesorë në Ambasadën Amerikane për reformën zgjedhore.

Ai ka thënë se fillimisht duhet të bëhet përmbyllja e reformës zgjedhore, e cila, sipas tij, kërkon një konsensus të të gjithë liderëve politikë.

“Ndërsa, periudhën kohore do ta përcaktojmë bashkërisht, por është shumë me rëndësi që të mos ndodhin zgjedhjet në periudha të ftohta kohore, apo kur janë ditët e shkurtra, kështu që do të jemi fleksibilë sa i përket periudhës kohore”.

Kryeministri Thaçi, në vijim të intervistës për “Zerin e Amerikës”, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ka thënë se Kosova hjendet në një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme të implementimit të marrëveshjeve që dalin prej marrëveshjes së përgjithshme të prillit të arritur në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se në takimin e fundit me Kryeministrin Dacic të jenë dakorduar për integrimin e policisë në mënyrë individuale në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Tani qytetarët atje do të aplikojnë në baza krejt individuale, do t’i plotësojnë kushtet dhe standardet sikur të gjithë policët tjerë të Kosovës”.

“Takimi i radhës do të jetë për sistemin e drejtësisë, një sistem unik, një sistem sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

“Kështu që po shkon implementimi ashtu siç është planifikuar. Mund të jetë edhe më konkret dhe i shpejtë, por ajo që është shumë me rëndësi është se ka gatishmëri prej shtetit të Kosovës, ka gatishmëri edhe mbështetje edhe nga ana e Serbisë, të përmbyllet ky proces sa më shpejt dhe ka një gatishmëri shumë të fuqishme prej Baroneshës Ashton, BE’së dhe SHBA’së të vazhdojë të përmbyllet me sukses të plotë ky proces në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit përfundimtar të shtetit të Kosovës”.

Duke folur për shqetësimin e ngritura se brenda këtyre strukturave mund të përfshihen edhe elemente që kanë një të kaluar kriminale, Thaçi ka siguruar se testimi dhe verifikimi do të ndodhë sikur që ka ndodhur me çdo polic të Kosovës.

“Në asnjë rrethanë nuk do të jetë asnjë individ që do të integrohet në policinë e Kosovës, që ka të kaluar të dëshmuar kriminale”.

“Këtë e verifikon Policia e Kosovës, EULEX’i dhe mekanizmat tjerë të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”.

“Sa i përket sistemit të drejtësisë, do të duket si në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, një sistem unik i drejtësisë, i cili do të funksionojë sipas standardeve, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore te Republikës së Kosovës. Pra, nuk do të jetë kriter etnia, por profesionalizmi dhe respektimi i plotë i kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës”.

“Natyrisht, ligjet e Kosovës do të jenë gjithmonë të vetmet të respektuara”.

Thaçi ka thënë se organizimi i zgjedhjeve sipas standardit më të lartë ndërkombëtarë dhe vlerësimi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare ishte një fitore e madhe për Kosovën,  për institucionet, për partitë politike dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës.

“Pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ka rritur kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve, kredibilitetin edhe të brendshëm dhe atë ndërkombëtar”.

“Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar legjitimimin e plotë të marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por na kanë dhënë të drejtë në angazhimet dhe vendimet tona që kemi marrë, sepse ne definitivisht e kemi larguar rrezikun e ndarjes së Kosovës, ndërsa tash kemi një integrim politik, një integrim kushtetues dhe një integrim edhe fizik, në kuptimin territorial por edhe politik të qytetarëve serbë që jetojnë në Veri.”

“Pra, tani do të vazhdojmë të punojmë me kryetarët të rinj që sapo janë zgjedhur”.

“Pres shume shpejt që t’i takoj dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në nivel të qeverisë qendrore dhe në nivel lokal. Edhe sa i përket betimit të kryetarëve të rinj që janë zgjedhur, kudo që janë, qoftë në Veri, qoftë në Jug, do të jetë plotësisht në përputhshmëri sikur betimet e të gjithë kryetarëve të komunave, si në Han të Elezit, si në Leposaviq, si në Prizren, po ashtu edhe në Zveçan”.

Thaçi ka thënë tutje në këtë intervistë për “Zërin e Amerikës” se është arritur të shmanget ndarja e Kosovës.

Por, a po ndodh një ndarje e brendshme siç ka shumë shqetësime në Kosovë, krijimi i një entiteti që tashmë edhe ndërkombëtarisht do të ketë njëfarë legjitimiteti?

“Në asnjë rrethanë diçka e tillë nuk do të ndodhë. Hapat e parë integrues konkretë, shihen. Ky integrim do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Integrimi politik, integrimi pastaj edhe në nivel institucional edhe me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Ndërsa do të vazhdohet të punohet ngushtë me kryetarët e komunave që janë zgjedhur të rinj”.

“Për herë të parë kemi kryetarët e komunave legjitimë edhe në katër komunat e Veriut. Ndërsa ne kemi projektet infrastrukturore për investime kapitale të ndryshme edhe në Veri. Prandaj, mendoj se ky vit ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe i suksesit historik për konsolidimin dhe forcimin e shtetit tonë, por edhe integrimin e të gjitha komuniteteve në jetën institucionale dhe shoqërore”.

Kryeministri Thaçi ka deklaruar se marrëveshjet që janë arritur mes Kosovës dhe Serbinë janë të parat në nivel të barabartë si dy shtete.

“Marrëveshjet janë në interesin e Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këto takime kemi hyrë si fitues, si vend i pavarur dhe sovran. Për herë të parë ballafaqohemi me Serbinë në këto nivele”.

“Ajo që ne kemi realizuar është se kemi shpëtuar Kosovën nga ndarja, e kemi shpëtuar Kosovën nga krijimi i ndonjë autonomie apo ‘Republika Srpska’ për serbët dhe tash kemi një Kosovë unike, të integruar, një Kosovë sipas standardeve evropiane që po e ndërtojmë”.

“Sa i përket të ardhmes europiane të Serbisë, natyrisht se e ardhmja europiane e çdo shteti në rajon, kalon përmes implementimit të kritereve që janë jashtëzakonisht të rëndësishme, atë të fqinjësisë së mirë. Për aq sa Serbia tregohet në fqinjësinë e mirë me Kosovën, po sa më farë do të jetë me BE’në. Por, kjo vlen edhe e kundërta”.

“Nëse ne e mbyllim me sukses normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, atëherë të dy shtetet tona si vende sovrane do të jenë afër BE’së e në të ardhmen edhe pjesë e NATO’s dhe BE’së. Por, kjo vlen edhe për të gjitha vendet tjera të rajonit. Fqinjësia e mirë është kriter kyç për të ardhmen evropiane”.

Sa i takon korrupsionit, Kryeministri Thaçi ka thënë se drejtësia kosovare tash e 15 vjet udhëhiqet nga ndërkombëtarët. Sipas tij, Kosova ka bërë hapa konkretë në tre-katër vjetët e fundit në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Hapa konkretë që janë përshëndetur edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Tani është momenti që sistemi i drejtësisë të bartet tek autoritetet vendore, që edhe mekanizmat e EULEX’it që e kanë mandat ekzekutiv të bartin autoritetin tek institucionet e Republikës së Kosovës, sepse Kosova ka dëshmuar pjekuri të lartë politike dhe shtetërore edhe në procesin e negociatave me Serbinë edhe me procesin e organizimit të zgjedhjeve të lira, që nuk mund të krahasohen me asnjë vend tjetër të rajonit”.

“Prandaj, sa më tepër që merr Kosova përgjegjësi në këtë drejtim, aq më e efektshme do të jetë lufta edhe kundër korrupsionit edhe kundër krimit të organizuar”.