Bedri Hamza jep dorëheqje nga drejtimi i PDK-së, partia pritet të hyjë në proces të ri zgjedhor
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të partisë më të madhe opozitare në vend. Vendimin për largimin nga kjo pozitë, Hamza e ka bërë të ditur në një konferencë për media, pasi më herët gjatë ditës e kishte njoftuar edhe Kryesinë e partisë për…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të partisë më të madhe opozitare në vend.
Vendimin për largimin nga kjo pozitë, Hamza e ka bërë të ditur në një konferencë për media, pasi më herët gjatë ditës e kishte njoftuar edhe Kryesinë e partisë për dorëheqjen e tij të parevokueshme.
Hamza ka bërë të ditur se ky vendim hap rrugën për një proces të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për udhëheqjen e ardhshme të partisë.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve në strukturat partiake dhe krijimit të mundësive që ata të marrin përgjegjësi në vendimmarrje.
Hamza e drejtoi PDK-në për rreth një vit, pasi ishte zgjedhur kryetar më 17 nëntor të vitit 2025, në një konventë zgjedhore të partisë.
Me rastin e zgjedhjes në këtë pozitë, ai kishte deklaruar se detyrën e pranonte “me nder dhe përkushtim të plotë”.
Në atë kohë, Hamza kishte premtuar hapjen e partisë për qytetarët që dëshironin të kontribuonin, si dhe përfshirjen e më shumë të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe aktivitetet partiake.
Gjatë udhëheqjes së tij, listat zgjedhore të PDK-së u karakterizuan edhe nga përfshirja e emrave të rinj si kandidatë për deputetë.
Hamza ishte zgjedhur në krye të PDK-së pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga kjo pozitë.
Dorëheqja e tij pritet të pasohet nga një proces i ri zgjedhor brenda partisë, i cili do të përcaktojë se kush do ta marrë drejtimin e PDK-së në vazhdim. /Lajmi.net/