BE rikonfirmon mbështetjen për arsimin në Kosovë

Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar përkushtimin e vazhdueshëm për avancimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Një gjë të tillë, BE e ka bërë të ditur përmes një komunikate të zyrës së saj në Kosovë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit. “Që nga viti 2007, BE-ja ka investuar mbi 85 milionë euro në iniciativa që…

Lajme

24/01/2025 12:37

Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar përkushtimin e vazhdueshëm për avancimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Një gjë të tillë, BE e ka bërë të ditur përmes një komunikate të zyrës së saj në Kosovë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit.

“Që nga viti 2007, BE-ja ka investuar mbi 85 milionë euro në iniciativa që synojnë rritjen e cilësisë, aksesit dhe gjithëpërfshirjes së sistemit arsimor për të gjitha komunitetet në Kosovë. Këto përpjekje synojnë t’u ofrojnë studentëve dhe akademisë në Kosovë mundësi të krahasueshme me ato në BE, duke kontribuar gjithashtu në zhvillimin ekonomik të bazuar në njohuri dhe krijimin e vendeve të punës”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se mbështetja gjithëpërfshirëse e BE-së përfshin të gjitha nivelet e arsimit, nga arsimi i fëmijërisë së hershme deri te trajnimi profesional (AFP) dhe arsimi i lartë.

“Ky investim jo vetëm që ka përmirësuar infrastrukturën arsimore, por gjithashtu ka forcuar kornizën e politikave që qeveris arsimin në Kosovë, ka përmirësuar cilësinë e materialeve mësimore dhe teksteve shkollore, ka promovuar mësimin digjital dhe ka mbështetur përfshirjen e grupeve të cenueshme”, thuhet tutje në komunikatë.

Si pjesë e programit më të gjerë të BE-së për Punësim dhe Arsim, BE-ja ka mbështetur ndërtimin e objekteve të reja të fakultetit për Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore me vlerë 8.9 milionë euro.

“Deri më sot, BE ka financuar ndërtimin e shkollave të reja dhe rinovimin e mbi 20 objekteve arsimore, duke përmirësuar ndjeshëm mjediset e të mësuarit. Për më tepër, përmirësimet e efikasitetit të energjisë në më shumë se 60 shkolla anembanë Kosovës kanë reduktuar konsumin e energjisë deri në 30%, duke nënvizuar përkushtimin e BE-së për qëndrueshmëri”, theksohet tutje në komunikatën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Një nga iniciativat kryesore në përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës është projekti Mbështetja e Arsimit Bazë dhe të Mesëm të Lartë (KosEd), i cili fokusohet në zhvillimin e mësimdhënësve, rekrutimin dhe cilësinë e teksteve shkollore. Me mbi 1000 mësues të angazhuar, KosEd do të ndikojë drejtpërdrejt në 21% të shkollave të Kosovës deri në qershor 2025, thuhet mes tjerash në komunikatë, e ku janë përmendur edhe projekte tjera të mbështetura nga BE.