BE publikon raportin për Kosovën: 35 sulme ndaj gazetarëve, përmendet edhe gjuha e Kurtit ndaj mediave

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2026, në të cilin ka evidentuar një sërë sfidash në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias, duke përfshirë sulmet ndaj gazetarëve, presionin nga zyrtarët publikë, krizën financiare të transmetuesit publik RTK dhe mungesën e transparencës në pronësinë e financimin e mediave. Në raport, BE vlerëson…

Lajme

04/11/2026 14:06

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2026, në të cilin ka evidentuar një sërë sfidash në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias, duke përfshirë sulmet ndaj gazetarëve, presionin nga zyrtarët publikë, krizën financiare të transmetuesit publik RTK dhe mungesën e transparencës në pronësinë e financimin e mediave.

Në raport, BE vlerëson se Kosova ka garanci të përshtatshme ligjore për lirinë e shprehjes, por se mjedisi për funksionimin e lirë, të pavarur dhe profesional të mediave duhet të përmirësohet.

Një prej çështjeve të ngritura është numri i rasteve të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Sipas Komisionit Evropian, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve, megjithëse kjo paraqet rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak.

Në mesin e rasteve të evidentuara janë përfshirë pengimi i punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, por edhe akuzat dhe gjuha e ashpër e përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ndaj gazetarëve dhe mediave.

“Gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, një rënie e konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak. Sulmet përfshinin pengimin e punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuhën e ashpër të përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin, ndaj gazetarëve dhe mediave”, thuhet në raport.

Komisioni Evropian thekson se zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga deklaratat që shënjestrojnë apo diskreditojnë gazetarët, ndërsa sulmet dhe frikësimi i tyre duhet të dënohen.

Raporti evidenton edhe raste të tjera shqetësuese. Gjatë periudhës raportuese, një kameraman është arrestuar dhe mbajtur përkohësisht në ndalim nga Policia e Kosovës, ndërsa të paktën katër persona janë ndaluar për kërcënimin e gazetarëve. Frikësimi ka përfshirë edhe ngacmimet në internet dhe publikimin e të dhënave personale të gazetarëve.

Ndërkaq, Komisioni ka bërë të ditur se nuk është regjistruar asnjë rast i padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).

Ligjet për mediat ende të pamiratuara

Në aspektin ligjor, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova nuk e ka harmonizuar plotësisht legjislacionin me acquis-në e Bashkimit Evropian për lirinë e shprehjes dhe mediat, veçanërisht me Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe kornizën kundër padive SLAPP.

Raporti nënvizon se ende nuk janë miratuar Ligji i ri për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Po ashtu, kërkohet harmonizimi i Ligjit për shpifjen civile me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pas shfuqizimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Gjykata Kushtetuese, BE kërkon hartimin e një projektligji të ri në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe zgjerimin e kompetencave rregullatore edhe mbi mediat online.

Megjithatë, si zhvillim pozitiv është vlerësuar funksionalizimi i bordeve të RTK-së dhe KPM-së. Në prill të vitit 2026, Kuvendi emëroi gjashtë nga tetë anëtarët që mungonin në Bordin e RTK-së, si dhe gjashtë anëtarët e KPM-së.

Pavarësisht kësaj, në Bordin e RTK-së vazhdojnë të jenë katër vende të paplotësuara, ndërsa procesi i emërimeve është kritikuar nga shoqëria civile për mungesë transparence dhe parregullsi. Raporti vë në pah edhe faktin se Bordi i Ankesave i KPM-së nuk ka pasur kuorum që nga nëntori i vitit 2023.

RTK në krizë financiare, 75 për qind e buxhetit shkon për paga

Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet gjendjes financiare të transmetuesit publik, RTK.

Komisioni Evropian vlerëson se funksionimi i RTK-së gjatë periudhës raportuese është karakterizuar nga një krizë e thellë financiare, e shkaktuar nga bllokada institucionale, e cila është lehtësuar pjesërisht pas konstituimit të Kuvendit në shkurt të vitit 2026.

Megjithatë, nuk është shënuar progres në krijimin e një modeli afatgjatë dhe të qëndrueshëm të financimit që do të garantonte pavarësinë e transmetuesit publik.

Sipas raportit, ndarja buxhetore për RTK-në nuk është në përputhje me ligjin aktual dhe as me normën e inflacionit. Pas ndarjes së buxhetit për gjysmën e parë të vitit 2026, transmetuesit publik iu desh të paguante interesin për huan prej 2.7 milionë eurosh, të cilën e kishte marrë nga Qeveria për të përballuar vështirësitë financiare nga korriku deri në tetor të vitit 2025.

Gjendja është rënduar edhe nga kërkesat për ekzekutimin e borxheve që rrjedhin nga kontratat e mëparshme dhe nga një pagesë prej 950 mijë eurosh e urdhëruar nga gjykata.

Një tjetër e dhënë e theksuar në raport është se 75 për qind e buxhetit të përgjithshëm të RTK-së vazhdon të shpenzohet për paga. Po ashtu, ndërtesa ku funksionon transmetuesi publik është në gjendje shumë të dobët dhe nuk është pronë e RTK-së.

Edhe pse në korrik Bordi emëroi drejtorin e ri të përgjithshëm, disa pozita të rëndësishme vazhdojnë të mbahen me ushtrues detyre, përfshirë atë të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, dy drejtorëve dhe kryeredaktorit.

Mungesë transparence në pronësinë dhe financimin e mediave

Komisioni Evropian vlerëson se sektori medial në Kosovë vazhdon të përballet me mungesë transparence sa i përket pronësisë dhe financimit.

Regjistri i mediave përfshin vetëm radiot dhe televizionet e licencuara, ndërsa të dhënat për pjesët e tregut që zotërojnë mediat nuk janë publike.

Sipas raportit, kjo situatë, e kombinuar me qëndrueshmërinë e kufizuar financiare, veçanërisht te mediat private të pavarura që nuk janë të lidhura me biznese, i bën ato të varura nga donatorët e huaj ose të cenueshme ndaj ndikimit politik dhe presionit financiar.

BE vëren se mediat e pavarura, veçanërisht ato që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, vazhdojnë të kenë mungesë të financimit të mjaftueshëm.

Gazetarët përballen me paga të ulëta dhe kontrata të pasigurta

Në raport theksohen edhe vështirësitë me të cilat përballen gazetarët në ushtrimin e profesionit. Sipas Komisionit Evropian, ata hasin rregullisht vonesa dhe pengesa kur kërkojnë qasje në dokumente publike.

Mediat në gjuhën serbe vazhdojnë të kenë vështirësi në marrjen e informacioneve në gjuhën serbe, për shkak të zbatimit jo të duhur të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Raporti vëren gjithashtu se liria e shprehjes për serbët e Kosovës mbetet nën presion dhe se zbatimi i rregullave kundër nxitjes së urrejtjes është i pabarabartë.

Sa u përket kushteve të punës, gazetarët vazhdojnë të përballen me paga të ulëta, kontrata afatshkurtra dhe status të pasigurt ligjor.

RTK mbetet i vetmi medium që ka sindikatë, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vazhdon të përfaqësojë gazetarët dhe profesionistët e mediave, pavarësisht financimit të kufizuar.

Në anën tjetër, Komisioni Evropian vlerëson se nuk ka kufizime në përdorimin e rregullt dhe të ligjshëm të internetit dhe mediave online që do të përbënin ndërhyrje të padrejtë në të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes.

Raporti thekson se Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, me 49 anëtarë, vazhdon ta përmbushë mandatin e tij për vetërregullimin e mediave, por përballet me mungesë të burimeve të mjaftueshme financiare dhe njerëzore.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 kërkon nga Kosova përmirësimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit për trajtimin e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, krijimin e mekanizmave të reagimit të shpejtë, përmirësimin e kushteve të punës dhe miratimin e legjislacionit të nevojshëm për garantimin e pavarësisë së mediave. /Lajmi.net/