BE për gjuhën e ashpër të Isufajt dhe Lumezit: Nuk e komentojmë, qëndrimi ynë për reformën ka qenë konsistent

Ambadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Aivo Orav i është përgjigjur letrës së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, përmes të cilës ishin distancuar nga gjuha e ashpër e përdorur ndaj Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Orav thotë se nuk komentojnë audio-incizimin që flet për atë…

Lajme

05/03/2026 14:43

Ambadori i Bashkimit Evropian në Kosovës, Aivo Orav i është përgjigjur letrës së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, përmes të cilës ishin distancuar nga gjuha e ashpër e përdorur ndaj Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Orav thotë se nuk komentojnë audio-incizimin që flet për atë gjuhë të ashpër të përdorur në takimin mes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit me kryeprokurorët, e i cili ishte publikuar nga “Betimi për Drejtësi”. Por, ambasadori rithekson mbështetjen e BE-së për reformën në KPK dhe rrugën e Kosovës drejt BE-së.

“Betimi për Drejtësi” më 24 shkurt 2026, përmes një audio-incizimi ka publikuar qasjen shpërfillëse dhe gjuhën e ashpër të përdorur nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe ish-Kryeprokurori i Shtetit, tani prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ndaj Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, në takimin e zhvilluar më 28 janar në mes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, me kryeprokurorët e prokurorive.

Në letrën që ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, Orav ka thënë se nuk komentojnë audio-incizimin por që mbështetja e BE-së në Kosovë për reformën në Këshillin Prokurorial është pjesë e përpjekjeve të tyre për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së.

“Ju falënderojmë për letrën tuaj të datës 25 shkurt 2026, në të cilën reagoni ndaj incizimeve të publikuara së fundmi nga media të një diskutimi midis kryeprokurorëve. Qëndrimi dhe mbështetja e BE-së në Kosovë për reformën e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) është pjesë e përpjekjeve tona më të gjera për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të mbështetur progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së, në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane. Ndërsa nuk komentojmë incizimet e pretenduara, qëndrimi ynë për reformën e KPK-së ka qenë publik dhe konsistent”, thuhet në letër.

BE-ja rikujton se u ka bërë thirrje vazhdimisht të gjithë anëtarëve të Këshillit Prokurorial që të zbatojnë plotësisht reformën, të veprojnë me integritet e të mbrojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

“BE-ja është angazhuar me KPK-në gjatë gjithë këtij procesi dhe u ka bërë thirrje vazhdimisht të gjithë anëtarëve që ta zbatojnë plotësisht reformën, të respektojnë procesin e rregullt ligjor, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve, të veprojnë me integritet dhe të mbrojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Angazhimi ynë bazohet në kornizën ligjore të Kosovës dhe procedurat përkatëse”, thuhet në letrën e Orav.

Sipas BE-së, zbatimi i Ligjit për KPK-në forcon llogaridhënien, eliminon praktikat korporatiste dhe siguron që Këshilli të veprojë në interes të publikut.

“Zbatimi efektiv i Ligjit për KPK-në është thelbësor për të forcuar llogaridhënien, për të eliminuar praktikat e panevojshme korporatiste dhe për të siguruar që Këshilli të veprojë ekskluzivisht në interes të publikut – duke i shërbyer sistemit të drejtësisë dhe popullit të Kosovës. Besueshmëria e sistemit prokurorial varet nga vendimet që janë të ligjshme, transparente dhe të marra në përputhje me parimet e sundimit të ligjit dhe standardet evropiane”, thuhet në këtë letër.

Në fund, Bashkimi Evropian thekson se përpjekjet për të minuar dhe bllokuar zbatimin e reformës, rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe ngadalësojnë përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së.

“Çdo përpjekje për të vonuar, bllokuar ose minuar zbatimin e reformës siç përcaktohet në kornizën ligjore të Kosovës është e papranueshme dhe rrezikon të minojë besimin e publikut dhe të ngadalësojë përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët që ndajnë këto vlera të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në procesin e reformës në një mënyrë profesionale dhe respektuese dhe të ndihmojnë në krijimin e një sistemi prokurorial që imponon besim dhe mbështet të ardhmen evropiane të Kosovës”, thuhet në fund të letrës.

Në audio-incizimin e transmetuar nga “Betimi për Drejtësi” dëgjohej se si kryeprokurori Isufaj dhe prokurori Lumezi po shpërfillnin kritikat e Zyrës së BE-së në Kosovë, për zvarritjen e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në fjalën e tij ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me moskonstituimin e Këshillit, është i ndikuar nga një grup i interesit.

Mirëpo, sipas kryeprokurorit Isufaj, Zyra e BE-së në Kosovë është e njëanshme dhe si e tillë nuk ka standard të BE-së.

Kryeprokurori Isufaj: Ma së pari jom i befasum pse zyra e BE-së komunikon në këtë formë. A jemi na armiq me ta apo ku është problemi? Pse unë duhet me u njoftu përmes mediave për një letër ose një shqetësim të paktën që e shpreh ambasadori i BE-së. Në fund të fundit ambasadori i BE-së sikur të ishte ma në nivel të detyrës ish dashtë me u taku me ty. Dhe ambasadori i BE-së duhet me ditë kornizën ligjore dhe situatën në të cilën gjendeni ju si Këshill. Meqenëse e morën të tjerët fjalën që s’janë anëtarë të Këshillit kam të drejtë edhe unë. Kjo është një kërkesë që ka ardhë prej Mattsit, e Matts përfaqëson një grup. S’ka diskutim, e dijmë kush është Matts, për mua është non grata. Na duhet me bashkëpunu me secilin po ligjin nuk mundesh me shkel ti as kërkush për kërkon. 

Kësaj deklarate i reagoi prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Shqipdon Fazliu, i cili tha se qëndrim të njëjtë sikur të BE-së kanë ndarë dhe autoritetet e tjera ndërkombëtare dhe shoqëria civile, andaj nuk mund të jetë i njëanshëm.

Prokurori Fazliu: I ka arsyet e veta Blerimi që mendon ashtu, nuk i di, derisa nuk i di nuk mund me u pajtu. Nuk mendoj që Bashkimi Evoprian është i njëanshëm, edhe Komisioni i Venecias ka konstatu të njëjtën, shoqëria civile e ka konstatu të njëjtën, Ambasada Amerikane ka konstatu dhe ka pas raport të njëjtë, edhe Raporti i Progresit ka evidentu të meta dhe shkelje të mëdha në sistemin prokurorial, kështu që nuk është veç një Bashkim Evropian. Ka një sërë organizatash ndërkombëtare duke përfshi edhe shoqërinë civile. Edhe njëherë po them nëse ka informata të tjera Blerimi që nuk i dijmë në rregull, por së paku mos të dalim këtu që krejt jemi pajtu se nuk mendoj që Bashkimi Evoprian është i njëanshëm.

Tutje, diskutimit të 28 janarit ju bashkua edhe ish-Kryeprokurori i Shtetit, tani prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi shprehet kundër qëndrimeve të Bashkimit Evoprian, duke thënë të jenë të ndikuara nga shoqëria civile dhe individë që duan ta shohin të dështuar sistemin prokurorial.

Sipas tij, anëtarë të sistemit prokurorial bashkëpunojnë me autoritetet ndërkombëtare me qëllim të dëmtimit të sistemit.

Mirëpo, i pyetur nga prokurori Fazliu se pse qëndrim të njëjtë BE nuk ndan edhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Lumezi nuk pranon të japë mendimin e tij, mirëpo thotë se ka interesa të tjera.

Prokurori Lumezi: Ma së pari deshta me thanë që kjo kërkesë të cilën e ka bo Shqipdoni është plotësisht e paarsyeshme dhe kom dyshime që kjo u bë për tendenca të caktume që edhe institucioni i prokurorit të shtetit me hy në debate në të cilat ka hy Këshilli Prokurorial i Kosovës. Edhe ato debate dhe kundërshtime veç e ashpërsojnë situatën brenda sistemit, nuk e përmirësojnë situatën. Shqipdoni duhet me ditë shumë mirë cilat janë kompetencat e prokurorëve të shtetit dhe cilat janë kompetencat e Këshillit Prokurorial të Kosovës që janë dy institucione kushtetuese të pavarura. Dhe Kushtetuta nuk i ka bë rastësisht ndarjen e këtyre dy institucioneve veç në letër, por faktikisht duhet edhe në praktikë me ekzistu ndarjen e këtyre dy institucioneve dhe me respektu si e tillë. Jo me pas tendenca për ndërhyrje në punën e Këshillit Prokuroral të Kosovës. Dihet shumë mirë kush bashkëpunon me autoritet dhe subjektet ndërkombëtare, vetëm Kryeprokurori i Shtetit, asnjo prej neve nuk ka të drejtë me bashkëpunu me autoritete ndërkombëtare por duhet ndërpërmjet Kryeprokurorit të Shtetit. A kemi na informacione që shumë prej neve bashkëpunojnë me autoritetet ndërkombëtare? Pse bashkëpunojnë? Nuk bashkëpunojnë në interes të sistemit prokurorit, por me dëmtu këtë sistem bashkëpunojnë. Na duhet me kanë të unifikum jo të përçamë. Ka anëtarë të Këshillit Prokurorial që dalin e sulmojnë Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, vendimet dhe veprimet e prokurorit të shtetit, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit pa punu asnjë ditë brenda sistemit prokurorial. A duhet me diskutu këtu, a është kjo pavarësi e institucionit të Prokurorit të Shtetit apo kontrolli institucional që po dojnë me e bo mbi neve nëpërmjet frikës që po dojnë me na bo edhe partnerët ndërkombëtarë, edhe shoqëria civile edhe mediat. Çka Bashkimi Evropian kërkon këtu thotë vendimet të kundërligjshme. Kush është Bashkimi Evropian? Kush ua jep ato raporte që bojnë Raporte të Progresit? Shoqëria civile dhe individë që dojnë me pa të dështum sistemin prokurorial.

Prokurori Fazliu: Me KGJK-në pse s’osht e njëjta? Hajde po pajtona me ty veç pse me KGJK-në s’osht njëjtë?

Prokurori Lumezi: Jo, jo njësoj, s’po du me fol për KGjK por po du me fol për KPK-në, për KPK-në se për KGJK ka interesa ndryshe.

Prokurori Fazliu: Se na shumë të hjeshëm, e po na kanë inati.

Lumezi: I dina shumë mirë, po s’po dojna me i cek këtu cilat janë pse me KGJK s’ka.

Nga dështimi i mbledhjes së parë të 20 janarit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur edhe dy mbledhje të tjera konstituive, të cilat po ashtu kanë dështuar.