BE nuk po “vuan” vetëm nga kosovarët, por edhe nga imigrimi brenda vendeve anëtare

Nuk janë vetëm kosovarët që ia kanë mësyrë disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Gjatë viteve të fundit ka pasur emigrim të madh të popullatës brenda vetë shteteve anëtare. Madje muajt e fundit kjo ka qenë “temë e nxehtë” midis vendeve anëtare, pasi Britania insiston në ndryshimin e rregullave, mbi bazën e të cilave do të frenohej imigrimit të pakontrolluar brenda Bashkimit Evropian.

Lajme

11/02/2015 12:21

Një analizë e veçantë e bërë nga EUROSTAT për orientimet e migracionit në BE, tregon se përveç imigrimit nga vende jo-anëtare të Bashkimit Evropian drejt vendeve anëtare, edhe vet vendet anëtare kanë pasur nivel të lartë të emigrimit.

Kjo analizë tregon se në vitin 2012 kanë hyrë 3.4 milionë imigrantë nga vendet jo-anëtare në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kurse prej tyre kanë dalë edhe 2.7 milionë emigrantë drejt vendeve të tjera anëtare.

Për sa i përket imigrantëve, pra të huajve që hyjnë, në vitin 2012 Gjermania raportoi numrin më të lartë të imigrantëve me gjithsej 592 200, duke u pasuar mandej nga Mbretëria e Bashkuar me 498 000, Italia me 350 800, Franca me 327 400 dhe Spanja me 304 100 imigrantë.

Në anën tjetër, për sa i përket qytetarëve të vendeve anëtare që emigrojnë, në vitin 2012 Spanja ka pasur nivelin më të lartë të emigrantëve drejt një vendi tjetër anëtar me 446 600 të larguar, mandej Mbretëria e Bashkuar me 321 200, Franca me 288 300 dhe Polonia me 275 600 të larguar.

Në një bilanc final nga 27 vendet anëtare, 14 shtete raportuan më shumë të ardhur, se të larguar.

Mirëpo, pjesa tjetër e shteteve anëtare si Bullgaria, Republika e Çekisë, Irlanda, Greqia, Spanja, Qiproja, Polonia, Portugalia, Rumania, Estonia, Lituania dhe Letonia e asokohe edhe shteti aspirues për anëtar Kroacia, ka raportuar se numri i emigrantëve të saj ishte më i lartë, se ai i imigrantëve.

Përbërja e imigrantëve dallon nga vendi në vend. Për disa vende, pjesa më e madhe e të ardhurve janë pikërisht nga vende të tjera anëtare, për shembull Luksemburgu për vitin 2012 raporton se 92 përqind e imigrantëve që gjenden në territorin e tij janë shtetas të një vendi tjetër anëtar.

Sllovakia e ka këtë trend në 82 përqind, ndërsa Rumania në 81përqind. Kurse, vendet që kanë më së paku imigrantë nga vende të tjera të BE-së gjatë 2012 janë Suedia me 34 përqind të totalit, Italia me 33 përqind dhe Sllovenia me 24 përqind. /lajmi.net/