BE: Nuk dërgojmë Mision Vëzhgues për zgjedhjet në Kosovë, organizohet vetëm “vëzhgim diplomatik”

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se nuk do të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve apo mision ekspertësh për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e tyre. BE-ja në një përgjigje të dhënë për Lajmi.net thotë se përkundër kësaj, do të organizohet…

Lajme

03/06/2026 14:25

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se nuk do të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve apo mision ekspertësh për zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e tyre.

BE-ja në një përgjigje të dhënë për Lajmi.net thotë se përkundër kësaj, do të organizohet një “vëzhgim diplomatik”, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të BE-së, shtetet anëtare dhe partnerë me mendim të njëjtë në Kosovë.

“Fatkeqësisht, për shkak të kohës së shkurtër para raundit të ri të zgjedhjeve të përgjithshme, nuk do të jemi në gjendje të dërgojmë një Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve ose një Mision Ekspertësh të Zgjedhjeve”, thuhet në përgjigje e zyrës së BE-së për lajmi.net

Sipas BE-së, qëllimi i vëzhgimit diplomatik është të lehtësojë praninë ndërkombëtare gjatë ditës së zgjedhjeve, në koordinim të ngushtë me institucionet e Kosovës përgjegjëse për procesin zgjedhor.

Në përgjigje theksohet gjithashtu rëndësia e rekomandimeve të mëparshme të BE-së për përmirësimin e procesit zgjedhor, përfshirë ato nga zgjedhjet lokale dhe parlamentare të viteve të fundit, të cilat ofrojnë udhëzime për zhvillimin e një procesi më gjithëpërfshirës dhe transparent.

“Rekomandimet e dorëzuara së fundmi nga EEM-i i BE-së për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në fund të vitit 2025, si dhe rekomandimet e EOM-it për zgjedhjet e përgjithshme të rregullta të mbajtura në shkurt 2025, ofrojnë udhëzime të dobishme mbi mënyrën e përmirësimit të zhvillimit të zgjedhjeve, duke garantuar gjithashtu një proces gjithëpërfshirës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Po ashtu, BE nënvizon rëndësinë e Komisionit Qendror Zgjedhor me përfaqësim të balancuar të të gjitha forcave politike, si element kyç për garantimin e zgjedhjeve të rregullta dhe të besueshme.

Kujtojmë se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, u kishte dërguar më 5 maj letër Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, përmes së cilës kishte ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 7 qershor 2026.

“Ftesa e u.d. Presidentes Haxhiu për Bashkimin Evropian është bërë në frymën e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Kjo mbetet qasje institucionale e Republikës së Kosovës: zgjedhje të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe të vëzhguara sa më gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Zyra e Presidentes mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe se Republika e Kosovës ka interes të plotë që procesi i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike.

Ndryshe nga zyra e Presidentes së Kosovës u tha se ftesa drejtuar Bashkimit Europian për vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të 7 qershorit nuk është injoruar.

Kështu reagoi Presidenca pas raportimeve se kërkesa e Haxhiut për dërgimin e ekipeve ishte injoruar nga BE.

Nga Presidenca deklaruan se kanë pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Europian, në të cilën theksohet se për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë.

“Në të njëjtën përgjigje, BE-ja ka bërë të qartë se po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë të pranishëm në vend”.

Sipas Presidencës, paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së u.d. presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 07.06.2026, pasi që Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese./Lajmi.net/