BE mirëpret ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, thekson se kjo hap rrugën për reforma që e çojnë Kosovën drejt integrimit evropian
Sot, në Kuvendin e Kosovës është miratuar Plani i Rritjes me BE-në duke i hapur rrugë përfitimit të qindra milionë eurove nga Bashkimi Evropian. Në lidhje me këtë, ka reaguar zyra e BE-së në Kosovë, të cilët e kanë mirëpritur ratifikimin e sotëm të marrëveshjeve me BE-në që lidhen me Planin e Rritjes. “Kjo i…
Lajme
Sot, në Kuvendin e Kosovës është miratuar Plani i Rritjes me BE-në duke i hapur rrugë përfitimit të qindra milionë eurove nga Bashkimi Evropian.
Në lidhje me këtë, ka reaguar zyra e BE-së në Kosovë, të cilët e kanë mirëpritur ratifikimin e sotëm të marrëveshjeve me BE-në që lidhen me Planin e Rritjes.
“Kjo i hap rrugën Kosovës për të përfituar nga 882 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme të orientuara drejt zbatimit të reformave që e çojnë përpara Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian”, kanë thënë nga BE.
Projektligji u prezantua në seancë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili bëri të ditur se Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, transmeton lajmi.net.
“Kosova do të përfitojë 882.6 milionë euro, i cili mund të them se është alokimi më i lartë në raport me bruto produktin vendor nga të gjitha shtetet, pra është rreth 8% e bruto produktit vendor që i është alokuar Kosovës. Kjo mbështetje financiare vjen në formën 1/3 si grant, ndërsa pjesa tjetër në formë të kredisë. Në këtë aspekt janë dy marrëveshje në kuadër të Planit të Rritjes dhe më pas në një pikë tjetër do të kemi edhe ratifikimin e kredisë”, tha Murati.
Kosova ishte vendi i fundit në rajon që e miratoi Planin e Rritjes, ndërsa fondet kishin mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së zgjatur të institucioneve.
Plani i Rritjes për periudhën 2024–2027 përfshin një paketë prej 6 miliardë eurosh, të miratuar nga Bashkimi Evropian në fund të vitit 2023, me synim përkrahjen e përafrimit të ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme të jashtëzakonshme, ka ratifikuar edhe tri marrëveshje ndërkombëtare.
Deputetët me 98 vota për, miratuan marrëveshjen e kredisë me Bashkimin Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes së unionit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo kredi u tha se është rreth 600 milionë euro.
Krahas kësaj, të zgjedhurit e popullit i dhanë dritën e gjelbër edhe një marrëveshje tjetër të kredisë, kësaj radhe me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, për projektin “Kompas – Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë”.
Deputetët po ashtu ratifikuan marrëveshjen e kredisë tjetër me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”.
Krahas këtyre, në seancën e sotme të jashtëzakonshme dhanë betimin e tyre si deputetë Uran Ismaili nga PDK dhe Afërdita Hajrizi nga LVV. /Lajmi.net/
Postimi i plotë i zyrës së BE-së në Kosovë: