BE-ja ua rikonfirmon vendeve të Ballkanit perspektivën evropiane
Në Bruksel të hënën mbrëma është organizuar një takim joformal, në formën e një darke pune, e kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Në atë takim, sipas asaj që thanë pjesëmarrësit pas përfundimit të tij, është përsëritur përkushtimi i BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit dhe i vendeve të këtij rajonit për të vazhduar reformat.
Lajme
“Siç është konfirmuar qartë këtë vit, përfshirë edhe nga Këshilli Evropian në mars dhe nga Presidenti Jean-Claude Juncker në fjalimin e tij për gjendjen e unionit në shtator, viti 2018 do të sjellë një rast unik për rajonit që të bëjë një hap të pakthyeshëm përpara në integrimin në BE, nëse prioritet i pa rerezervë do t’i jepet reformave të domosdoshme, sidomos në sundimin e ligjit, drejtësisë dhe të drejtat themelore”, thuhet në një komunikatën të lëshuar nga zyra e Përfaqësueses së lartë të BE-së.
“Me dinamikën e rivendosur në politikën e zgjerimit të BE-së dhe mundësitë për të shënuar progres të rëndësishëm në rajon, Përfaqësuesja e lartë ka nënvizuar nevojën për partnerët e Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë reformat esenciale dhe të japin rezultate për pritjet e qytetarëve, dhe të bëjnë hapa konkrete drejt integrimeve evropiane“, thuhet në komunikatë.
“Pjesëmarrësit nënvizuan përkushtimin e thellë të tyre dhe interesin për të forcuar bashkëpunimin dhe raportet e mira fqinjësore dhe të promovojnë mirëkuptimin rajonal. Në këtë kontekst, rëndësia e diskutimeve në vazhdim e sipër e presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq për të avancuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës u potencua”, thuhet më tej në njoftim.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pos pjesëmarrjes në darkë së bashku me kolegët e tij nga vendet tjera të rajonit, ka pasur edhe një takim bilateral me Përfaqësuesen e lartë, Federica Mogherini.
Haradinaj pas këtyre takimeve nuk ka folur para gazetarëve në Bruksel. Për qëndrimet e tij në takim zyra e tij ka vendosur një prononcim në faqen zyrtare të kryeministrisë.
“Kryeministri Haradinaj ka thënë se rruga e integrimit të Kosovës në BE është e pakthyeshme dhe se Kosova meriton një trajtim të barabartë. Kryeministri Haradinaj ishte i pari lider nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor që takohet me Mogherinin, para darkës së përbashkët joformale. Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, do të zhvillojë takime edhe me homologë të tij nga rajoni”, është shkruar në njoftimin e kryeministrisë.
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq, ka thënë pas takimit se vendi i saj me, siç u shpreh “vullnet të mirë“, po dëshmon gatishmëri për të përmbushur obligimet e dala nga dialogu, por ka thënë se, sipas saj, “një vullnet i tillë nuk po shihet në Prishtinë“.
Brnabiq ka insistuar edhe një herë që të zbatohet marrëveshja për krijimin e asaj që ajo e ka quajtur “Bashkësia e Komunave Serbe në Kosovë“.