BE-ja përsërit se Serbia ka tërhequr letrën e Bërnabiqit: Të dyja palët e kanë obligim zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën e përjavshme sot është pyetur për deklaratën emisarit sllovak, Miroslav Lajçak i cili tha të premten e 6 shtatorit se Serbia ka tërhequr letrën e dërguar nga Ana Bërnabiq, e për të cilën ai s’dha shumë detaje. Stano tha se Bashkimi Evropian qëndron prapa asaj deklarata dhe…

Lajme

10/09/2024 15:31

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në konferencën e përjavshme sot është pyetur për deklaratën emisarit sllovak, Miroslav Lajçak i cili tha të premten e 6 shtatorit se Serbia ka tërhequr letrën e dërguar nga Ana Bërnabiq, e për të cilën ai s’dha shumë detaje.

Stano tha se Bashkimi Evropian qëndron prapa asaj deklarata dhe se s’ka çfarë të shtojë më shumë për atë pjesë.

Sipas tij i takon Serbisë të japë më shumë detaje lidhur me këtë. Stano theksoi sërish se të dyja palët e kanë obligim zbatimin e Marrëvshjes.

“Në emër të BE-së nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që tha i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak në takimet në Prishtinë, javën e shkuar, dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Pse, kur dhe si ndodhi kjo, nuk është diçka që na takon neve, por u takon autoriteteve të Serbisë t’i adresojnë këto pyetje. Mund të përsëris qëndrimin e BE-së që është i vazhdueshëm që nga dita e parë e Marrëveshjes së Ohrit, e ajo është se të dyja palët kanë obligim të zbatojnë Marrëveshjen, e cila është ligjërisht obliguese. Të dyja palët duhet të punojnë pa vonesa në zbatimin e saj”, tha Stano.

Pas takimit që pati të premten me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimit në Prishtinë, Mirsolav Lajçak para mediave tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

“Letra është tërhequr. Ka deklarata këndej e andej se që nuk ndihmojnë, por marrëveshja është e ligjshme në tërësi dhe ajo është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë kështu që është e detyrueshme dyfish”, tha Lajçak.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati refuzuar ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Ndër të tjera kusht ishte edhe tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023.