BE-ja para sfidave madhore – Fati i Evropës dhe Ballkani
Bashkimi Evropian do të përballet me sfidë të trefishtë e cila do të përcaktojë të ardhmen e Evropës. Zgjedhjet në Parlamentin Evropian, ndryshimet gjeopolitika dhe dinamika ekonomike do ta përcaktojnë të ardhmen e politikës evropiane, pozicionin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin urgjent të tij në BE. Ky tekst është fjalimi i mbajtur nga autori, në…
Opinion
Bashkimi Evropian do të përballet me sfidë të trefishtë e cila do të përcaktojë të ardhmen e Evropës. Zgjedhjet në Parlamentin Evropian, ndryshimet gjeopolitika dhe dinamika ekonomike do ta përcaktojnë të ardhmen e politikës evropiane, pozicionin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin urgjent të tij në BE. Ky tekst është fjalimi i mbajtur nga autori, në edicionin e 21-të të Kongresit të Vjenës.
Shkruan: Enver Hoxhaj
Krizat në Bashkimin Evropian dhe rreth Evropës, në në tërë kontinentin e vjetër, do të varen nga disa rrethana politike të brendshme dhe nga kërcënimet e sigurisë së jashtme, nga tensionet gjeopolitike globale, por edhe nga disa faktorë ekonomikë, të cilët nuk janë aq shpresëdhënës gjatë vitit 2024! Nga të gjitha këto, do të varet edhe vet qasja dhe politika e BE-së, por edhe e shteteve anëtare të saj, ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj Kosovës. Mënyra sesi BE-ja do t’i qaset disa çështjeve që do t’i ngrisë këtu, do të varet nëse ajo do të jetë vëzhguese pasive – siç na duket shpesh neve jashtë BE-së, apo një fuqi e rëndësishme vendimmarrëse për fatin e vet dhe fatin e të tjerëve. Evropa do të përballet me një sfidë identitare që do të definojë të ardhmen e saj.
Çështja e parë që ka të bëjë me peizazhin e ardhshëm politik evropian do të varet nga ajo se si do të votojnë evropianët në vitin 2024. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian zhvillohen ndrëmjet 6-9 qershor 2024 – çfarë rezultatesh do të ketë dhe se kush do të ndërtojë institucionet e ardhshme evropiane, është shumë e rëndësishme. Përse evropianët do të votojnë ashtu siç do të votojnë dhe çfarë roli ka përceptimi i frikës dhe pasigurisë për të ardhmen? A mos emocionet do të jenë vendimtare në vendimmarrjen personale të qytetarëve evropianë për të votuar për Parlament Evropian? Një krizë besimi në politikën evropiane mund të ndikojë në zgjedhjet kombëtare në shumicën e shteteve anëtare. Sondazhet tregojnë gjithashtu se partitë e ekstremit të djathtë do të kenë përfitime të konsiderueshme në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor të vitit 2024. Kjo ka të ngjarë të ndikojë në qëndrimin e politikës së BE-së për çështje të tilla si migracioni, ndryshimet klimatike, zgjerimi i BE-së dhe në raport me vet luftën e rikthyer në Evropë, si Ukraina, gjë që do ishte me pasoja afatgjate për të ardhmen e BE-së.
Çështja e dytë që dua ta përmendi është se Evropa do të shohë nëntë zgjedhje parlamentare këtë vit. Duket se gjashtë vende, sikurse tregojnë sondazhet, ka të ngjarë të rezultojnë me një ndryshim të dukshëm në qeveri ose në drejtimin e qeverisë dhe/ose të politikave qeveritare. Shqetësim kryesor është se në shumë shtete anëtare pritet që fragmentimi politik të mbetet një trend kyç në Evropë, vitin e ardhshëm dhe tutje. Kështu, qeveritë e kanë gjithnjë e më të vështirë të udhëheqin shumicën parlamentare në kuvendet nacionale. Nëse disa shtete anëtare, do të jenë të qeverisura nga koalicionet, rrjedhimisht, do të duhet të mbështeten në marrëveshje të mëdha shumëpartiake. Kur vendimmarrja qeveritare mbetet e kufizuar nga sfidat e qeverisë së pakicës, kjo do të vështirësojë marrjen vendimeve të mëdha. Por edhe paqëndrueshmëria politike, jostabilieteti dhe polarizimet e brendshme do të jenë trend dhe normë evropiane. Kur kam biseduar me miqtë evropianë këto ditë, ata ishin të bindur që rritja e pakënaqësisë me establishmentin politik do të rrisë gjasat që partitë kryesore dhe tradicionale evropiane të bashkojnë disa nga politikat më radikale të përkrahura nga e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme në platformat e tyre të politikave. Partitë e djathta ekstreme kanë të ngjarë të kenë gjithashtu fitime elektorale dhe presin që ato të hyjnë në qeveri pas zgjedhjeve, në disa vende, potencialisht si partitë më të mëdha, me shanset më të mira për të formuar dhe udhëhequr qeveritë e ardhshme. Zgjedhjet më të rëndësishme në Evropë në vitin 2024 do të varen nga zgjedhjet në SHBA dhe në Britani të Madhe, të cilat ndikimin do ta kenë në dy drejtime të ndryshme dhe me efekte të kundërta politike.
Çështja e tretë ka të bëjë me ekonominë evropiane dhe globale, e cila do të rritet pak më shpejtë nga sa pritej, sikurse tregojnë indikatorët, por procesi i rimëkëmbjes ekonomike ka të ngjarë të vazhdojë edhe më 2024. Megjithatë, ka edhe disa faktorë pasigurie, që janë trashëguar nga vitet e kaluara, por që janë realitet kryesor ekonomik evropian. Këtu veçanërisht duhet të përmenden normat e larta të interesit, kërcënimi i rritjes së çmimit të energjisë, rritja e borxhit publik në disa shtete anëtare të BE-së dhe tensionet gjeopolitike në tregti në Evropë e në botë. Të gjithë këta faktorë do të ndikojnë në ekonominë evropiane në 2024. Në disa vende, presioni inflacionist mbetet i lartë. Çmimet e larta të energjisë, në kombinim me normat e larta të interesit, po zbehin zhvillimin ekonomik si në aspektin e prodhimit dhe punësimit. Normat e larta të interesit do të mbeten në një nivel mbi mesatar për të ardhmen e parashikueshme në gjithë BE-në. Disa vende të Evropës Jugore në BE kanë nivele mbi mesataren e borxhit, pra borxhin e qeverisë në raport me PBB-në, gjë që do jetë shqetësim serioz gjatë këtij vitit. Nëse partitë politike tradicionale apo të ekstremit të djathtë dhe të majtë do të fokusohen në izolimin ekonomik dhe ato do mbizotërojnë në zgjedhjet e ardhshme në Evropë si zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe shtete anëtare e në SHBA, kjo do të kishte një ndikim negativ në tregtinë globale – me pasoja negative për disa ekonomi nacionale, që varen nga eksporti.
Çështja tjetër është dhe mbetet konkurrenca gjeopolitike dhe tensionet gjeopolitike me pasoja sa për rendin liberal ndërkombëtar dhe me pasoja për zhvillimin ekonomik evropian dhe global, me ndikim negativ në rritjen e punësimit. Peizazhi gjeopolitik ka ndryshuar në mënyrë dramatike me agresionin rus në Ukrainë dhe së fundmi, me shpërthimin e luftës në Rripin e Gazës. Rivaliteti që Kina mundohet ta bëjë në raport me SHBA-në gjithashtu ka vazhduar të bëhet një faktor kyç në mënyrën se si ne e shohim botën. Përkundër gjithë pasigurisë gjeopolitike, është gjeo-ekonomia ajo që e drejton marrëdhënien transatlantike. Këtu amerikanët dhe evropianët duhet të jenë edhe më strategjik në bashkëpunim, por ka gjasa që mund të shohim edhe në këtë gjeografi nje krizë tregtare varësisht se kush fiton zgjedhjet në Shtëpinë e Bardhë dhe çfarë politike të jashtme do të zbatojnë tani SHBA-të ndaj Evropës. Gjithnjë e më shumë vende po përdorin tani fuqinë e tyre ekonomike për të rritur ndikimin e tyre gjeopolitik.
Çdo ditë e më shumë çështjet e vështira të luftës dhe paqes janë duke kërcënuar rendin liberal botëror, ku pasiguritë gjeopolitike na janë bërë si të panjohura madhore. Kur flasim për pasiguritë politike dhe gjeopolitike që përbëjnë një rrezik ekonomik shtesë, kjo gjë po bëhet çdo ditë më e mundshme, meqë çdo përshkallëzim i konflikteve ekzistuese si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Rripin e Gazës, mund të çojë në probleme të zinxhirit të furnizimit dhe në rritje të çmimeve të mallrave.
Përsëri po ju kthehem çështjeve politike. Nga lidershipi politik i ardhshëm evropian dhe perëndimor që do të dalë nga zgjedhjet, do të varet se sa do të ndikojnë në ekonominë globale, por edhe në rendin liberal botëror. Përpjekjet e kundërshtarëve të Perëndimit për të krijuar dhe promovuar blloqe ekonomike rivale, na çojnë drejt një bote jo vetëm më pak prosperuese, por edhe më pak të sigurt në aspektin e sigurisë ekonomike dhe nacionale.
BE-ja dhe SHBA-ja mund të jenë në pozicionin më të mirë për të demonstruar se si bashkëpunimi mund të na ndihmojë të lundrojmë në një botë të ndarë. Vetëm nëse Perëndimi do të mund të ngadhnjejë gradualisht ndaj kundërshtarëve të tij autokratë dhe jo-liberale dhe nëse këtë gjë do ta kuptojnë politikanët perëndimor, atëherë ai edhe mund të gjejë unitet përmes bashkëpunimit midis shteteve sovrane, sepse kjo është në interesin e të gjithëve – të balancojnë interesat kombëtare. Nëse para 80 vitesh SHBA-ja dhe BE-ja jetësuan këtë ëndërr, sot kur ne po testohemi sërish nga tensionet globale. Për të pasur ndonjë shans t’i zgjidhim këto sfida, shtetet duhet të ndjekin drejtimin që ndoqën në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Një përplasje e gjeo-ekonomisë me gjeopolitikën që ka ardhur për të përcaktuar dhe vënë në dyshim bashkëpunimin global, vërehet dukshëm në Ballkanin Perëndimor. Rajoni është bërë një mikrokosmos i tensioneve gjeopolitike globale. Por fati ynë në Ballkan Perëndimor do varet nga vëmendja dhe qartësia strategjike amerikane dhe evropiane.
Agresioni brutal i Ukrainës nga Rusia ka shërbyer si një thirrje zgjimi për BE-në dhe para dy viteve kam qenë i sigurt që do të lindë gjeopolitikisht një BE e re dhe e ringjallëruar. Përkundër mbështetjes për Ukrainën, ky rigjallërim dhe kjo rilindje e Evropës nuk ndodhën, gjë që është arsyeja që tani shohim dilema strategjike. Nëse në Ballkan kemi menduar se lufta në Ukrainë e shton urgjencën e diskutimit për zgjerimin e BE-së, në rajon kjo duket si pritje naive sepse nuk po ndodh. Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah nevojën për të përshpejtuar procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për ta rigjallëruar atë për të gjitha vendet e rajonit që nuk janë ende në BE. Mirëpo, asgjë e rëndësishme në procesin e anëtarësimit nuk ka ndodhur as sa i takon Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Deklaratat publike nga udhëheqës të institucioneve të BE-së për një afat zgjerimi te ardhshëm deri në vitin 2030, na bëjnë të shpresojmë se kjo do të mobilizojë energjitë si në BE ashtu edhe në shtetet kandidate në rajon. Pyetja tani është se si të bëhen gati vendet kandidate për t’u bashkuar me bllokun evropian? Ajo që do ta ndihmonte më shumë Ballkanin Perëndimor është një plan i rritjes ekonomike i drejtuar nga BE-ja, ku fjala është për një treg të vogël prej gjashtë vendesh me më pak se tetëmbëdhjetë milionë konsumatorë i integruar me tregun e përbashket Evropian. Për të ngushtuar hendekun zhvillimor në mes Ballkanit dhe BE-së, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula Von der Leyen propozoi një plan për rritje ekonomike me katër shtylla për Ballkanin Perëndimor vitin e kaluar. Tash do shihet pas zgjedhjeve në BE sa këto synime do të përfshijnë afrimin e rajonit me tregun e përbashkët të BE-së, thellimin e integrimit ekonomik rajonal, përshpejtimin e reformave themelore, dhe rritjen e fondeve të para-anëtarësimit, dhe sa prej këtyre do të merren si prioritet. Me Ballkanin Perëndimor që përfaqëson oborr të brendshëm në BE dhe që është një lloj ishulli i madh i izoluar brenda Evropës, tani është koha për vëmendje të përqendruar në avancimin e qëllimeve të këtij plani dhe përshpejtimin e pranimit të rajonit në BE me datë konkrete, që para se të mbahen zgjedhjet dhe pas tyre duhet një shpejtësi e re. Kjo shpejtësi e re do të merrte formë për Kosovën nëse ajo do merrte këtë vit statusin e kandidatit gjatë mandatit të këtij Komisioni, gjë që BE nuk ka arsye fare që ta shtyjë për më vonë.
Nëse BE nuk arrin të marrë një vendim lidhur me aplikacionin e Kosovës për statusin e kandidatit, çfarë drejtimi strategjik dhe qartësi mund të pritet të tregojë BE-ja? Pamundësia për të kaluar këtë akt aq të thjeshtë dhe simbolik ngre dilema në lidhje me drejtimin strategjik të BE-së ndaj vet Evropës.
(Ky fjalim është mbajtur në edicionin e 21-të të Kongresit të Vjenës nga autori, i cili njëherësh është edhe anëtar i Bordit Këshillues i Kongresit të Vjenës.)